Rio Ferdinand thotë se mori një mesazh nga Pep Guardiola, i cili zbuloi besimin që kishte te skuadra e tij vetëm disa orë përpara se Manchester City ta mposhtte Real Madridin 4-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.

Një dopietë e Bernardo Silva, para goditjes me kokë të devijuar të Manuel Akanji dhe “vulës” finale të Julian Alvarez në kohën shtesë, bënë që blutë të kalonin para mbajtësit e trofeut në finalen e tyre të dytë për tri vite.

Guardiola ka mbetur i zymtë kur është pyetur shpesh për ëndrrën e tij në Ligën e Kampionëve me City, por ishte një figurë e animuar në ndeshjen kundër Real Madridit dhe festonte me pasion çdo gol.

Rio Ferdinand ishte në detyrë për “BT Sport” si komentator dhe zbuloi se i kishte uruar Guardiolës fat më herët gjatë ditës. Trajneri i City tregoi me gisht ish-futbollistin e Manchester United, duke bërtitur ‘të thashë’ me një buzëqeshje.

Kur u pyet për këtë gjë, Ferdinand shpjegoi: “Kam këmbyer mesazhe me Pep Guardiolën para ndeshjes. Unë i urova fat, ndërsa ai më shkruajti: më beso që i kemi mundur dy vite më parë, do t’i mposhtim sërish. Besoje.

Kjo ndodhi dy ose tri orë para ndeshjes. Ai ma dërgoi një mesazh të tillë. Ky është besim i pastër në detajet që kishte përgatitur, produkt i të cilave ishte epërsia e madhe në këtë përballje, si dhe besimi që ka te lojtarët”.

Ferdinand u shpreh lirik për dominimin e City dhe sesi ata dukeshin kaq të lehtë kundër kampionëve në fuqi të Europës, duke lavdëruar në veçanti një mbrojtës: “Vlen më shumë mënyra se si kanë arritur këtu. Ata sapo kanë shkatërruar, goditur, pluhurosur një gjigant të futbollit europian. Një ekip që ka fituar shumë Liga të Kampionëve. Ata e kanë bërë këtë me lehtësi dhe pa u djersitur.

Kyle Walker, sepse duhet të flasim edhe për beteja individuale, doli këtu sot dhe tha se do të dominojë një futbollist të klasit botëror (Vinicius Jr). Duhet të kesh karakter për ta bërë këtë”./telesport/