Porta shkodrane në historinë e saj ka patur pjesë të saj emra të shquar të cilët kanë lënë gjurmë me paraqitjet e tyre. Tek Vllaznia tashmë duket se po lind një erë e re portierësh të rinj.

Alen Sherri gradualisht po fiton autoritetin e një portieri- titullar me ekipin e parë dhe nga ndeshja në ndeshje, po tregon personalitet. Por përveç tij, është edhe një tjetër portier që shumë shpejt mund të bie në sy.

Bëhet fjalë për atë të ekipit të të rinjve, Kristi Qarri. Të dhënat e tij duken shumë të mira. E pat “zbuluar” i mirënjohuri Paulin Ndoja që ka punuar disa vite me të dhe tashmë duket se ka ardhur momenti që ai të shpërthejë gradualisht.

Në fund të muajit dhjetor ai ka festuar 17 vjetorin e tij të lindjes dhe ky përvjetor në fakt ka ardhur në një moment shumë të mirë për Kristin.

Ai konsiderohet një nga portierët më me të ardhme në Akademinë Vllazninë. Fakti që edhe sezonin e ardhshëm do të luajë me ekipin e të rinjve të Vllaznisë, do të thotë se i ka mundësitë për “t’u pjekur” edhe pak.

Trajneri Ideal Lekiqi që e stërvit çdo ditë, e konsideron një nga portierët që mund të sigurojë portën kuqeblu në të ardhmen. Punojnë shumë sëbashku për t’u perfeksionuar në ato pika ku mund të ketë nevojë dhe Qarri bën pa asnjë kundërshtim atë çfarë i thuhet.

Aktualisht luan me ekipin U-19 të Vllaznisë që pak ditë më parë siguroi të drejtën për të diskutuar finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Shkëndisë së Tiranës.

Padyshim që ekipi i drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kërkon ta fitojë këtë trofe sepse i ka mundësitë dhe përbërjen për këtë gjë. Padyshim duke patur në portë edhe një portieri si Kristi Qarri, kjo është një garanci më shumë për prapavijën ndërkohë që për të fituar ndeshjen dhe trofeun pastaj do të mendojnë lojtarët e sulmit, Gruda, Palushani, Qardaku apo dhe ndonjë tjetër.

Gjithsesi, më shumë se gjithçka, Kristi dhe gjithë të tjerët duhet të vazhdojnë të punojnë shumë. Vllaznia e madhe aty është, duke i pritur. E rëndësishme është që ata të jenë gati për ta veshur fanellën e saj dhe për të mos e hequr më.
Gjergj KOLA