Ekziston frika e një dëmtimi të rëndë për Kingsley Coman, anësori i djathtë i Bayern Munich, i cili doli në pjesën e parë në ndeshjen ndaj Këln. Fancezi përkuli këmbën e djathtë në mënyrë të panatyrshme pa asnjë kontakt me kundërshtarin e tij, duke kërkuar menjëherë një zëvendësim, pasi preku pjesën e brendshme të kofshës.
Drejtori sportiv Christoph Freund, tha: “Coman ishte në spital për një kontroll. Fatkeqësisht gjërat duket se nuk po shkojnë aq mirë. Shpresoj se nuk është çështje muajsh, por ai me siguri do të jetë jashtë për disa javë”. Është e qartë se prania e tij në Kampionatin Europian është gjithashtu në rrezik të madh.
Trajneri Thomas Tuchel u shfaq i dekurajuar: “Dëmtimi i Kingsley është një lajm i keq dhe nuk mendoj se është një gjë e vogël. Mund ta shihje të shkruar në fytyrën e tij. Më trishton shumë, e di sa shumë ka punuar. Së pari del Serge Gnabry, pastaj ai dhe Leroy Sane, kundër Arsenal nuk do të jetë e lehtë pa ta. Është një goditje e rëndë”.
Coman do t’i nënshtrohet testeve të mëtejshme, por një ndalesë e re për disa javë tashmë është e parashikueshme. Kohët e sakta të rikuperimit nuk dihen, por ai me siguri nuk do të luajë në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Arsenal. Sigurisht që nuk është një lajm i mirë për Thomas Tuchel./telesport/