Vioresin Sinani e sheh shpëtimin e Vllaznisë te privatizimi dhe merkatoja e janarit. Por duke qenë se klubi nuk mund të shesë aksione deri para prillit, ish-bomberi i kuqebluve i kërkon skuadrës që të gjejë forca dhe të sigurojë mbijetesën para këtij afati. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, autori i 208 golave me fanellën në kampionatin shqiptar u ndal gjerë e gjatë edhe te mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak. Ai zbuloi shkakun se përse kërkonte me ngulm që drejtuesit e klubit të ishin prezent në të.

Edhe pse ekipi nuk i bëri mbyllje të mirë pjesës së parë të sezonit, ishsulmuesi shfaqet optimist, ndërsa nuk do që ta mendojë rrezikun.

Vioresin ishit aq shumë kërkues në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, çfarë prisnit konkretisht nga ajo mbledhje?

Që të jem kaq kërkues, është më shumë se normale. Me klubin e futbollit “Vllaznia” jam lidhur prej një jete, pastaj ky emër i përket të gjithë Shkodrës e më gjerë. Si këshilltar kam bërë detyrën, pasi duhet që të gjejmë zgjidhjen më të mirë për Vllazninë. Në këtë këshill ka vetëm një pikë ku të gjithë duhet të bashkojmë votat dhe pikërisht kur bëhet fjalë për Vllazninë. Pastaj, debatet janë të natyrshme. Rëndësi ka vetëm që të jemi unanim kur bëhet fjalë për këtë klub.

Pse kërkuat që drejtuesit e klubit të ishin të pranishëm në mbledhjen e së martës?

E bëra një gjë të tillë për një motiv të thjeshtë: doja përgjigje dhe argumente. Duke qenë se kishim për të bërë disa pyetje radhazi për ato që drejtuesit kanë kërkuar dhe parashtruar, doja reagim.

Nuk do doja kurrë që këto pyetje t’ua bëja përmes shtypit. Këto pyetje janë për t’u bërë vetëm në këshill, ndaj do të ishte pozitive që ato të ishin prezent aty.

Janë akorduar 550 milionë lekë të vjetër për klubin. A është ky buxhet i mjaftueshëm për një vit?

Këtë pyetje do të ishte mirë që t’ua bënit drejtuesve të klubit. Ne kemi miratuar në buxhet aq sa janë parashikuar për këtë klub nga bashkia. Ndaj e thashë më lart që duhet të bashkohemi për Vllazninë, pasi në këtë formë nuk do diskutojmë për shifra, por për rezultate.

Vllaznia mbetet pronë e Bashkisë Shkodër, edhe këtë herë nuk u bë kalimi i shumëpritur te privati…

E mira do të kishte qenë që klubi të kishte kaluar një orë e më parë në duart e privatit. Po procedurat janë të tilla që para prillit nuk nis sot shitja e aksioneve, gjë që e tha edhe kryebashkiakja. Ajo që unë shpresoj është që deri në atë muaj, Vllaznia të jetë në ujëra të qeta dhe të ketë siguruar mbijetesën.

Pjesa e parë e sezonit nuk u mbyll siç duhet, si e parashikoni ecurinë pas janarit?

Mund të them se pjesa e dytë e sezonit është më e vështirë sesa e para. Të gjitha skuadrat do të kërkojnë që të përforcohen për të realizuar objektivat.

Nisur nga kjo edhe unë fatin apo të ardhmen e Vllaznisë e shikoj të lidhur me afrimet që do të bëjë në këtë periudhë. Skuadra ka nevojë imediate për përforcime në disa sektor. Shpresojmë që të bëhet më e mirë, në mënyrë që të mos jemi këtu ku ndodheni në fund të sezonit

E shihni si të rrezikuar Vllazninë për këtë sezon?

Sigurisht. Situata nuk është e mirë dhe kjo nuk ka nevojë për komentet, pasi shihet. Por unë nuk do doja ta mendoja që ekipi nuk do gjejë forca që ta ndryshojë këtë situatë. Unë kam besim se do të arrijmë që të sigurojmë mbijetesën dhe pastaj të presim normalisht edhe privatizimin. Kam besim se ekipi do ta gjejë rrugën e kthesës.