Një ndeshje shumë interesante ka qenë ajo e zhvilluar pasditen e së enjtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në mes ekipeve të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe të Buduçnostit të Podgoricës. Malazezët e kanë fituar këtë miqësore me rezultatin 3-2 megjithatë më shumë sesa rezultati vlen të theksohet rivaliteti që e ka shoqëruar këtë ndeshje nga fillimi e deri në fund. Loja ka patur përmbysje shifrash dhe kjo ka dhuruar jo pak emocione. Seti i parë është fituar nga Buduçnosti në shifrat 25 me 17. Ai do fitonte edhe setin e dytë 25 me 19 dhe u krijua ideja se do ta fitonte krejt ndeshjen me shifrat e përgjithshme të seteve 3-0. Por nuk do ndodhte kështu. Shkodranët e trajnerit Artan Kalaja, duke patur në përbërje edhe dy të huajt, Boshkoviç dhe Kuç por dhe shkodranët Prela, Qafarena, Miloti, Jukni, Qeraxhia, Kola e të tjerë, do të fitonte setin e tretë 28 me 26 duke rihapur lojën. Vllaznia do të barazonte setet në të katërtin duke e fituar atë 26 me 24 dhe ndeshja do të shkonte kësisoj me set final. Në këtë të fundit, Buduçnost tregon më shumë përvojë duke fituar 15 me 9 dhe krejt ndeshjen 3-2. Kjo ishte fitorja e dytë e malazezëve në tre përballjet miqësore me Vllazninë teksa kjo e fundit ka fituar një ndeshje. Por më shumë sesa rezultati, miqësorja me ekipin nënkampion të vendit fqinj, i ka vlejtur shkodranëve si përgatitje për ndeshjen shumë të rëndësishme për kampionat që do zhvillojë nesër në kryeqytet me Tiranën. Një ndeshje përcaktuese për ecurinë e mëtejshme në kampionat sepse javën tjetër pastaj në Shkodër do vijë Studenti dhe pikërisht këto dy sfida përcaktojnë edhe renditjen përfundimtare të kampionatit në prag të ndeshjeve të plej- ofit.

Gjergj KOLA