Ndeshja e javës së 12-të të Superligës shqiptare në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Dinamos do të luhet ditën e shtunë në orën 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ky është informacioni zyrtar që del nga zyrat e klubit shkodran. Pra, kjo ndeshje do të luhet me drita sepse kështu ka vendosur Federata. në fakt, duket paksa e palogjikshme zhvillimi i ndeshjes në një orar të tillë sepse për vetë kushtet atmosferike që po mbizotërojnë, nuk pritet të ketë shumë tifozë në stadium. Megjithatë orarin e ka vendosur kompania që transmeton ndeshjet e Superligës dhe klubet janë të detyruara ta zbatojnë atë në bazë të kontratës që kanë firmosur. Vllaznia luan me skuadrën e vendit të fundit në renditje por kjo nuk do të thotë se do jetë ndeshje e lehtë sepse blutë kanë treguar se pikërisht ndaj skuadrave të mirë, dinë të luajnë bukur madje të marrin edhe pikë. Kështu ndodhi edhe javën e kaluar kur ata barazuan ndaj Flamurtarit. Në formacionin dinamovit luajnë tre futbollistë shkodranë, pikërisht Ervis Kraja, Erjon Hoti dhe Antonio Marku.

shkodrasport.com