Tjetër fitore në kampionat për ekipin kampion në fuqi të futbollit të femrave, atë të Vllaznisë. Në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit, vajzat kuqeblu kanë fituar me rezultatin 6-0 ndaj Dajtit. Fakti që kundërshtari ishte i një niveli të dobët, ka bërë që trajneri Nikolin Leka të aktivizojë kryesisht futbollistet rezervë teksa ka lënë pushim plot 8 titullare. Pa përmendur këtu edhe faktin që lojtarja kryesore, Megi Doçi, vërtetë ka qenë në fushë por ka patur probleme me kaviljen dhe nuk është angazhuar ashtu si duhet në lojë.

Protagonistja kryesore në këtë fitore ka qenë futbollistja Arlinda Gruda e cila ka arritur të shënojë tre gola në këtë takim. Një tjetër mban “firmën” e Esmeralda Franjes ndërsa “surpriza” nëse mund të quajë kështu, ka qenë futbollistja Avullija. Një vajzë e re që ka filluar të ingranohet me ekipin dhe në ndeshjen e sotme, ka arritur të shënojë dy gola. Me fitoren e sotme, Vllaznia në këtë mënyrë ka arritur fitoren e tetë në po kaq ndeshje të luajtura duke kryesuar renditjen me pikë të plota.

© shkodrasport.com