Atletët e Vllaznisë e kanë mbyllur vitin 2015 me një tjetër titull kampion. I kishte mbetur pa fituar edhe ai i krosit kombëtar dhe tashmë edhe atë e kanë bërë realitet. Kampionati në fjalë është zhvilluar këto ditë në Tiranë dhe në disiplinën e të rriturve kanë dominuar atletët shkodranë që janë shpallur kësisoj kampionë të vendit.  Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë rreth 100 atletetë të moshave të ndryshme nga 9 ekipe, që kanë garuar në 4 distanca të ndryshme. Ekipet pjesëmarrëse ishin Vllaznia, Tirana, Teuta, Mjeshtëria Sportive Durrës, Skënderbeu, Flamurtari, Elbasani, Besa dhe Kosova.

Shkodranët të kryesuar dhe të drejtuar nga atleti- trajner Bledar Mesi, bashkë edhe me Albert Marashin, kanë bërë figurën më të mirë duke dominuar mbi ekipet e tjera. Në këtë mënyrë, pas titujve kampionë në kampionatin kombëtar të të rriturve por edhe me moshat, vjen një tjetër titull për ekipin e Vllaznisë. Tituj këto që janë frut i punës së bërë nga atletët e trajnerët ndonëse në kushte shumë të vështira stërvitje megjithatë falë pasionit dhe përkushtimit të tyre, kanë arritur të marrin gjithë këto trofe.
© shkodrasport.com