Skuadra shkodrane e ka mbyllur merkaton e dimrit vetëm me tre blerje. Brnoviç, Jabllan dhe Moreno janë të vetmit që kanë firmosur sepse të tjerë nuk do ketë. Lajmi bëhet I ditur nga burime pranë klubit Vllaznia sipas të cilit, kuqeblutë nuk e kanë ndër mend të shpenzojmë më nga ana financiare përderisa në treg nuk ka lojtarë më të mirë sesa ata që janë aktualisht në skuadër. Në të tillë pozita, është hequr mesa duket dorë përfundimisht edhe nga dy lojtarët që janë nën kontratë me Bylisin, Da Silva dhe Dimo. Për të dy ata kishte shumë shpresë nga ana e trajnerit Vata se do t’I kishte pjesë skuadrës së tij për vazhdimin e sezonit, madje I konsideronte dy pika shumë të forta të Vllaznisë, në mbrojtje dhe sulm. Të gjitha planet e tij ishin bërë me këto dy futbollistë në skuadër por duket se mostërheqja e presidentit të Bylisit Besnik Kapllanaj nga pretendimet e tij financiare për ata, ka bërë që edhe shkodranët të heqin dorë përfundimisht nga Da Silva dhe Dimo. Duke qenë kështu, me shumë mundësi braziliani do niset sërish Brenda dy-tre ditësh drejt vendlindjes së tij duke I dhënë fund kështu ditëve të qëndrimit tek Vllaznia të cilat mesa duket po rezultojnë të paefektshme ngaqë ai nuk mund të luajë dot me të. Drejtuesit e lartë të klubit shkodran, përfshi këtu edhe kryebashkiakun-president Lorenc Luka mesa shihet, e kanë parë të paarsyshme të shpenzojnë paratë nga llogaria e tyre për të marrë dy lojtarët e Bylisit. Po ashtu, nuk është parë e arsyeshme të merret as kroati Vuk sepse ndoshta mendimi është që ai nuk ka ndonjë diferencë të madhe me lojtarët që janë aktualisht në skuadër. Po ashtu, kanë rënë përfundimisht shpresat për të marrë Antonio Markun nga Dinamo dhe Ylli Shametin nga Tomori. Në kushte të tilla, lista e federimeve të reja për janarit tek Vllaznia, përmban vetëm katër emra: Nenad Brnoviç, Ivan Jabllan, Sergi Moreno dhe portieri shkodran Ervin Hallunaj. Drejtuesit e klubit shkodran, administrator Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima, dje kanë qenë në FSHF për të bërë federimin e këtyre katër futbollistëve që tashmë janë pjesë e kuqebluve dhe me shumë mundësi, me këto katër emra do mbyllet e gjithë lista e federimit për Vllazninë gjatë kësaj merkatoje. Kjo duket paksa e habitshme në fakt ngaqë skuadra vetëm nga largimi I Sukajt dhe Vajushit përfitoi 150 mijë euro ndërkohë që të katër lojtarët e ardhur, nuk do paguhen as sa 50 mijë eurot që kanë ardhur nga shitja e Sukajt. Po 100 mijë eurot e ardhura nga Vajushi ku do shkojnë? Destinacioni I tyre me siguri që do gjendet sepse skuadra ka nevojë për shumë shpenzime megjithatë duket se drejtuesit e Bashkisë Shkodër, me shumë mundësi kanë ndër mend ta nxjerrin me fitim shoqërinë aksionere që krijuan fund-gushtin e kaluar sepse vetëm në këtë mënyrë mund të rregullohen bilancet. Megjithatë, ajo që do ta pësojë është skuadra në fushën e lojës sepse janë larguar Sukaj, Vajushi, Muça, Nimani, Danaj e Sinani që duket se nuk do luajë më dhe kanë ardhur vetëm tre futbollistë ( pa përmendur portierin e tretë) Hallunaj. Merkatoja në këtë mënyrë, me numra del e humbur për Vllazninë por me euro, e fituar. Ai që do ta vuajë këtë gjë duket se do jetë trajneri Vata sepse projekti I tij për të ndërtuar një skuadër shumë më të fortë në fazën e dytë, thuajse po dështon. Ai nuk ka lojtarët e duhur në dispozicion dhe mbase në këtë mes, jo pak përgjegjësi kanë edhe drejtuesit e klubit. Vetëm tre ditë më parë, administratori I klubit Kujtim Shaba, në një prononcim për mediat deklaroi se tek Vllaznia deri më 31 janar do vijnë edhe Da Silva, Dimo dhe Marku. Në fakt, duket se asnjëri prej tyre nuk do vishet kuqeblu dhe të kesh tre lojtarë më pak në skuadër, sigurisht që niveli I saj bie jo pak. Megjithatë, deri në ditën e fundit të merkatos, mund të ketë edhe ndonjë surprizë të fundit paçka se parimisht drejtuesit e klubit kanë vendosur për ta mbyllur merkaton.

www.shkodrasport.com