Kuqeblutë e trajnerit Gjeçaj kanë qenë shumë pranë fitores në ndeshjen e rradhës për kampionat, pikërisht atë ndaj Tiranës kampione në fuqi. Në takimin e luajtur pasditen e sotme në kryeqytet, shkodranët kanë zhvilluar një ndeshje përgjithësisht të mirë dhe madje kanë qenë shumë pranë fitores. Ata e kanë mbyllur gjysmën e ndeshjes me shifrat 50-43 në favorin e tyre dhe këtë epërsi kanë arritur ta ruajnë edhe në periodën e tretë por fatkeqësisht jo në të katërtën.

Kjo sepse disa nga titullarët e Vllaznisë u larguan nga fusha për plotësim të numrit pesë të personaleve dhe lojtarët e rinj që hynë në fushë nuk ishin në gjendje të ruanin ritmin. Nga ana tjetër, bardheblutë ndonëse të lodhur nga ndeshjet e tyre në Ligën Ballkanike, falë kontigjentit të bollshëm të lojtarëve cilësorë, kanë arritur të përmbysin shifrat në periodën e katërt duke e fituar krejt ndeshjen me rezultatin 93-84. Me paraqitjen e sotme, Vllaznia ka treguar se pavarësisht problemeve që ka patur, do të jetë një rivale e fortë për vendin e dytë bashkë me Teutën ndërkohë që Tirana edhe këtë sezon duket se nuk do ketë kundërshtarë.

© shkodrasport.com