Shqipëria po vuan fort periudhën e tranzicionit edhe në sport.

Talente të shumtë kanë shkuar dëm pa pasur mundësi të bëjnë diçka pozitive për shkak të mungesës së kushteve infrastrukturore apo dhe mbështetjes financiare.

Dëshmuar më së miri me mungesën e një strategjie të qartë për sportin dhe një Ligji për Sportin që s’po gjen vetveten.

Po vuajnë edhe sportet individuale dhe sidomos sportet e forcës, që Shqipëria vazhdimisht i ka pasur në nivele të larta.

Në këtë mes nuk bën përjashtim boksi, i cili është një sport mjaft i dashur dhe ku shqiptarët kanë pasur goxha sukses në rang ndërkombëtar.

Boksi ka evoluar, ai përshtatet në kushtet moderne të zhvillimit dhe sjell të ardhura për ata që kanë hyrë në rrugën e duhur të suksesit.

Por në Shqipëri është me halle, pasi fondi nga shteti është qesharak dhe bashkitë i paguajnë sportistët vetëm për trajtim ushqimor me një kuotë financiare që nuk del as për ujë të pijshëm.

I intervistuar nga “SOT”, njeriu emblemë i boksit në Shqipëri, Zef Gjoni, analizoi situatën me të mirat dhe të këqijat e saj, shprehu vlerësim për boksierët e rinj të Vllaznisë e Kombëtares, pritshmëritë e boksierëve tanë në turnetë dhe aktivitetet e radhës etj.

Dëshira e Gjonit është të ketë sa më shumë grumbullime dhe bën një premtim për Lojërat Mesdhetare, ku synimet janë për medalje.

Natyrisht, duke qenë njohës i mirë i boksit dhe me një karrierë shumë të gjatë, ai kërkon nga institucionet e shtetit dhe pushteti vendor më shumë vëmendje ndaj sportistëve e jo të ketë një pagesë për trajtim ushqimor 25 mijë lekë në muaj, të cilat janë krejtësisht të pamjaftueshme.

Shqiptarët kanë nxjerrë sportistë të mëdhenj në boks, por shumica shkojnë jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri mungesa e kushteve dhe financave e pengon arritjen e objektivave.

Ju keni një jetë me boksin, a është ai në nivelin e kërkuar?

Gjendja nuk është në perfeksion, sigurisht që jo, por edhe keq nuk jemi, pasi këtu ka kualitet, ka përgatitje, ka punë dhe vullnet për të pasur rezultate të larta.

Unë mund të marr shkas nga aktiviteti i fundit që u organizua (nga Elis Guri), i cili dëshmoi se ne dimë të bëjmë aktivitete të mëdha dhe me mjaft peshë.

në kam shëtitur në shumë vende të botës, por nuk kisha parë një veprimtari sportive kaq të bukur.

Po, por ishte një aktivitet me organizim të veçantë, me sponsor etj. Nëse do të mbështetej edhe boksi kombëtar kështu do të ishin plot pallatet e sportit sepse të rinjtë tanë e duan këtë sport…

Unë fola për një aktivitet që ishte vërtet i bukur, por siç thoni dhe ju kishte një organizim mjaft të mirë.

Në fillim bileta ishte e shtrenjtë 25 mijë lekë (të vjetra) por më pas e lanë 10 mijë lekë, sepse duhet ta kuptojmë që edhe shoqëria jonë është e varfër.

Unë takova më pas edhe njerëz që e kishin ndjekur aktivitetin dhe kishin mbetur të kënaqur, ishte mbresëlënëse.

Unë pashë aty se kishte boks real dhe këtë nuk e them për t’i bërë elozhe, apo kur shoh shumë ndeshje të disa boksierëve që nuk janë boks real.

Unë e njoh boksin, e di kur është real e kor jo. Prandaj shpesh ngre zërin se nuk më pëlqen ai lloj boksi.

Nuk dua të mburr boksierët e mi, por unë mendoj se janë më me nivel se disa sportistë tanët që garojnë jashtë e që u bëhet shumë bujë mediatike.

Më 9 mars do të bëhet këtu një aktivitet bamirësie, ku do të vijnë shumë sportistë nga rajoni e më gjerë.

Do të jetë një aktivitet shumë i fortë, por bërthama e skuadrës tonë kombëtare do të jenë katër boksierët e Vllaznisë.

Ata që do të vijnë janë shqiptarë apo të huaj?

Do të jenë shqiptarë, sigurisht, por që qëndrojnë e stërviten në vende të tjera si në Greqi etj.

Ne kemi synim të ballafaqojmë forcat me këta boksierë dhe të organizojmë një veprimtari që të jetë model por edhe frytdhënëse.

Boksi ka përparuar shumë edhe në konceptim. Po bëhet gjithnjë e më shumë profesionist. Nuk e di a përdoren më kaskat se ato janë shenjë amatorizmi. Është boksi ynë profesionist?

Boksi ynë po shkon drejt profesionalizmit të plotë. Boksierët tanë në masën 70% garojnë pa kaska.

Sportistët e mirë i heqin kaskat sepse janë të përgatitur. Ne këtë e kemi bërë me një marrëveshje me federatën ndërkombëtare dhe, krahasuar me shumë vende të rajonit por edhe në rang europian, ne kemi sportistë të nivelit të lartë.

Fakti që nuk shkojmë deri në medalje ari lidhet me disa faktorë, plus që jemi vend i vogël.

Cila është gjendja e Vllaznisë së boksit në këtë periudhë? Sa sportistë stërvisni?

Vllaznia ka aktualisht 50 boksierë, aq kemi në stërvitje në palestër, një numër i kënaqshëm.

Tani që po flasim unë kam në Shkodër ekipin kombëtar, sepse po përgatitemi për Europianin e moshës deri në 22 vjeç, aktivitet që do të zhvillohet në Rumani nga 24 marsi deri më 3 prill.

Vitin e kaluar Krenar Zeneli doli në vend të pestë në Europë, kurse Kajoshi në vend të shtatë, por shpesh ne vuajmë në garat e boksit, pasi nuk kemi arbitër që të jetë pjesë e gjyqtarisë dhe kjo na penalizon sepse vendet e tjera favorizohen nga gjyqtaria.

Kjo duket si justifikim, por është evident ky fakt në garat tona jashtë vendit.

Ju përmendët Kajoshin, për të cilin po flitet shumë këto kohë. Cilat janë pritshmëritë e tij?

Stërtvitet rregullisht dhe është me kualitet të lartë. Ishte më i miri në aktivitetin e para pak ditëve, duke dëshmuar se është mjaft cilësor.

Nuk di të them shumë, por e ardhmja e tij duket e madhe. Në tërësi si ekip Vllaznia ka boksierë cilësorë.

Atij (Kajoshit) i duhet një sponsor dhe do të ishte diçka e bukur për karrierën e tij që të gjente një sponsor.

Pse është i domosdoshëm një sponsor? Sepse boksieri nuk e ka mundësinë të shkojë në aktivitetet e rëndësishme, të ndeshet etj, sepse kjo punë ka shpenzime dhe shpenzimet duhen mbuluar.

Më vonë boksieri nxjerr dhe fiton vetë, por në hapat e parë e ka të domosdoshme. Do gëzohesha shumë që për Kajoshin të gjendet një sponsor.

Cilat janë aktivitetet që lakmoni më shumë këtë vit, ku i keni objektivat primare?

Lojërat Mesdhetare do t’i vlerësomë seriozisht këtë vit. Duket se edhe KOKSH-i po angazhohet maksimalisht për të pasur një përfaqësim të mirë e me shumë medalje.

Ne do të marrim pjesë me 4-5 boksierë dhe shpresoj të kemi një grumbullim paraprak për të pasur rezultatet e duhura. KOKSH-i po na e jep këtë mundësi dhe ne do ta vlerësojmë si duhet.

Gjithçka rrotullohet rreth anës financiare, pasi këtu investimi për sportin nëpërmjet fondeve grant është mjaft i dobët.

Ndoshta Shqipëria është vendi i fundit jo vetëm në rajon por edhe në Europë që jep kaq pak për sportin e në veçanti për boksin.

Madje dhe Kosova jep shumë më tepër. A është kjo mangësia më e madhe e boksit tonë?

Kjo është një dramë për sportin, patjetër. Kosova që përmendët akordon më shumë.

Ata patën ekipin e tyre të grumbulluar në Durrës, mbi 20 sportistë. Marrin pjesë rregullisht nëpër turnetë e boksit dhe shkojnë me numër të konsiderueshëm boksierësh në veprimtaritë ndërkombëtare.

Ata investojnë për sportin, megjithëse nuk kanë sportistë të nivelit që kemi ne.

Pra, në Kosovë investojnë, akordojnë fonde dhe ndjekin aktivitetet rregullisht, plus që bëjnë grumbullime të shumta.

Mungesa e financave cenon moralisht sportistët dhe në mungesë të financimit bie dhe tempi i punës dhe përfaqësimit. Si ia bëni që i ftoni dhe i angazhoni të rinjtë në palestrat e boksit?

Vllaznia e Shkodrës ka 21 vjet kampion në Shqipëri dhe a e dini një fakt që për mua është i rëndë?

Kajoshi, boksieri më i mirë, merr vetëm 250 mijë lekë të vjetra në muaj si trajtim ushqimor.

Kaq para nuk mjaftojnë dhe nuk të motivojnë, prandaj apeli im ka qenë vazhdimisht të bëjmë diçka më shumë për këta sportistë të talentuar.

Prandaj nevojiten sponsorë që të përmirësojnë kushtet dhe trajtimin e sportistit.

Ky është një problem i sportit në përgjithësi në Shqipëri…

Unë po flas për boksierin më të mirë. Por jo, në futboll është ndryshe.

A e dini që një lojtar mesatar i Vllaznisë merr për një muaj aq para sa merr i gjithë ekipi i boksit në Shkodër?

Problemi tjetër i boksit tonë është fondi mjaft i vogël që i akordohet federatës tonë, diku te 60 milionë lekë të vjetra.

Në një vit hajde të gjesh çfarë do të bësh më parë me një fond të tillë financiar.

Duhet të organizosh aktivitetet brenda vendit dhe të përgatisësh ekipin për aktivitetet ndërkombëtare.

Pra, kemi një sport me një mijë halle. Shpresoj që për Lojërat Mesdhetare të jetë ndryshe dhe kam besim se do të jetë më mirë, pasi nismën e ka KOKSH, institucion të cilit i intereson të ketë rezultate motivuese dhe për Olimpiadën e ardhshme.

Nëse do të sigurohet grumbullimi, a janë sportistët tanë në lartësinë për të marrë medalje?

Jam i sigurt 100% që me një grumbullim efikas ne marrim medalje në Lojërat Mesdhetare. Vitin e kaluar federata botërore shkroi për ne, duke thënë se shqiptarët erdhën me tre boksierë dhe korrën tri fitore.

Pra nuk na mungon kualiteti, por mbështetja financiare. Siç thashë dhe më sipër ne kemi disa vështirësi gjatë garave sepse na mungon një arbitër dhe këta vendet e lindjes mbajnë anën e tyre, si rusët e bjellorusët.

Ne patëm rast që u ndeshëm me një boksier që e favorizoi gjyqtaria dhe ai arriti të marrë medalje deri në Olimpiadë. Gjithsesi, Lojërat Mesdhetare janë një objektiv ku duhet të fokusohemi fort.

Ato zhvillohen në qershor në Spanjë dhe besoj se Shqipëria ka një mundësi të tregojë vlerat e saj.

Ne shpresojmë më e pakta një grumbullim dhjetëditor jashtë shtetit që të kemi siguri për zonën e medaljeve.



Jetojmë në kushtet kur shoqëria ka probleme të shumta sociale dhe të rinjtë janë pjesë e këtyre zhvillimeve. A janë të prirur të rinjtë të futen në rrugën e boksit?

Unë personalisht jam i kënaqur me prurjet, ka plot të rinj që na vijnë në palestër dhe ka të rinjtë me mjaft talent.

Shqipëria ka talente plot, në tërësi, por duhet të përmirësohet situata që të jemi me medalje.

Nuk duhet të harrojmë se na kanë ikur shumë boksierë, nga ata që janë “bio-shqiptar”.

Shikoni se sa sukses korri Jurgen Uldedaj, i dalë pikërisht nga boksi ynë. Pra, që të kemi boks konkurrues në rang ndërkombëtar nevojitet investim, pasi talentet nuk na mungojnë.

Unë jam optimist për të ardhmen, megjithëse kushtet nuk janë në lartësinë e kërkuar dhe situata jo shumë premtuese për shkak të halleve shoqërore.

Nëse dikush në shtet kërkon medalje europiane e botërore duhet të kujtohet që ky sport kërkon investime dhe shteti duhet t’i kthejë sytë nga sporti në përgjithësi e boksi në veçanti.

Kam një skuadër me moshë fare të re, kualitete të spikatur, me moshë 21 vjeç. Duke parë afrimin e të rinjve, nuk kam pse të mos jem optimist.
Intervistoi: Adriatik BALLA