Herri Kejn i mban premtimet. Dhe Anglia buzëqesh në Botërorin e parë, gjë që nuk i ndodh shpesh. Një gol në fund i lejon kombëtares ishullore që të mos u shtohet numrit të kombëtareve të mëdha që dështuan në debutim.

Me dopietën e sulmuesit të Totenhemit në fitoren kundër një Tunizie modeste, por grintoze, festoi gjithë Anglia. Dhe jo thjesht për dy golat që kapiteni shënoi.

Por, edhe për faktin se ndryshe prej shumë shokëve të skuadrës së tij, Kejn është nga ata që ushqen bashkimin e grupit.

ALKOOLI

Sepse është me të vërtetë e rrallë që në ambientin e kulturës anglosaksone, të gjesh një djalë të ri, mes moshës 18- 27 vjeç, të cilit nuk i pëlqen alkooli.

Nuk po flasim për abuzimin, por të paktën për ta shijuar atë. Dhe, në fakt, Kejn është nga ata që nuk e vendos as në buzë alkoolin.

Nuk pi asgjë alkoolike, as edhe një birrë. Maksimumi, shijon një pije të gazuar. E rëndësishme është që të mos kopjojë shokun e repartit, Xhemi Vardinë, i cili vuan nga “varësia” e pijeve energjike.

BESNIK

I ri, i pashëm dhe i pasur, shumë i dëshiruar nga femrat. Dhe me këto cilësi është e vështirë që t’u shpëtosh tundimeve kur je futbollist.

Por, edhe në këtë rast, 24-vjeçari përbën një përjashtim. I fejuar dhe tashmë pritet në altar me Keti Gudlend, të cilën e njohu në bankat e shkollës dhe që në 2017-ën u bënë prindër të vogëlushes Ivi Xhejn.

A është ky tregues i një lidhjeje të përjetshme? Një foto e të riut Kejn me kapitenin e atëhershëm të Anglisë, Dejvid Bekham, ka bërë këto ditë xhiro në mediat angleze. Kush tjetër ishte në atë shkrepje? Natyrisht, Keti.

FAMILJAR

Edhe jeta e tij është shumë normale. Gjithnjë larg dritave të reflektorëve. Absolutisht e vështirë ta shohësh në një pab, gati e pamundur për ta fotografuar në një diskotekë.

Derisa në vitin 2015 deklaroi se nuk e kujtonte se sa kohë kishte që nuk shkelte në një klub nate. Në vend të netëve të çmendura, Kejn preferon golfin dhe të shijojë skarën.

Djaloshi i mirë klasik i shtëpisë ngjitur, me dhuntinë mbinatyrore të të luajturit futboll dhe në gjendje për të qenë normal në një botë që gjithnjë ka qenë “sui generis”.

KORREKT

Thuajse të gjithë anglezët e kanë pjesë të kulturës që nuk protestojnë dhe i pranojnë në një shkallë të gjerë vendimet arbitrare.

Kejn shkon përtej kësaj. Kurrë një zënkë me kundërshtarin dhe asnjë diskutim me zyrtarët e ndeshjes. Karakter shumë i butë, por agresiv kur duhet. Por, gjithnjë brenda limiteve të sjelljes sportive.

Jo rastësisht Sauthgejt i besoi shiritin e kapitenit, duke e bërë liderin më të ri të “Tre Luanëve” në një Botëror. Nejmar u shfaq me një pjatë të përmbysur spageti në kokë. Dele Ali u prezantua me flokët me nuanca ari, Boateng me gri.

Po Kejn? Asgjë. Prerja e zakonshme: e rregullt, e freskët dhe e thjeshtë. Prezanton vetveten. Një tjetër kuriozitet që shkon përtej kulturës së modës së futbollistëve?

Nuk ka asnjë tatuazh dhe nuk ka ndërmend të bëjë. Sa i ndryshëm nga gjithë kolegët e tij… Dhe ndoshta për këtë arsye është një figurë kaq e dashur.