Elseid Hysaj ka çuditur të gjithë në Itali kur është shfaqur mbrëmë në tribunën VIP të stadiumit “Olimpiko” të Romës.

Para se të fillonin thashethemet e zakonshme të merkatos për vizita të tilla, mbrojtësi shqiptar i Napolit ka sqaruar se bëhej fjalë thjesht për një vizitë kortezie.

Në fakt, ai ia kishte premtuar Thomas Strakoshës, me të cilin ishte takuar pak javë më parë gjatë pushimeve në Dubai, se do ta vizitonte në Romë sa t’i jepej mundësia.

Meqë trajneri Sarri u kishte lënë lojtarëve të Napolit ditën e hënë pushim, atëherë Hysaj kishte vendosur të udhëtonte drejt Romës, për të ndjekur ndeshjen e mbrëmshme ndaj Xhenoas.

Për fatin e keq të Strakoshës, kolegu i tij në Kombëtare nuk e pa duke marrë një rezultat pozitiv, pasi Lacio u mund 2-1. Sidoqoftë, kjo vizitë i shërbeu Hysajt edhe për të analizuar nga afër lojën e Lacios, që është kundërshtari i radhës i skuadrës së tij në kampionatin italian, një arsye më shumë për këtë vizitë në Romë. /vipsport/