Klubet angleze po përballen me një situatë shumë të vështirë, edhe pse mund të duket shumë e  çuditshme po të mendosh se deri një ditë më parë kishin në plan të vijonin rregullisht kampionatin.

Pasi Arteta e pastaj Hadson-Odoi rezultuan positive ndaj testit të koronavirusit, situata ndryshoi plotësisht dhe tashmë pritet thjesht që me radhë edhe futbollistë të tjerë të përfundojnë nën kontrollin e mjekëve.

Sot u mor vendimi nga klubet që sezoni të ndalej deri më datë 3 prill, por sipas mediave angleze, në mbledhjen e sotme ka qenë shefi ekzekutiv i Federatës Angleze, Greg Klark, ai që u ka bërë të qartë klubeve se nuk sheh asnjë prej tyre të kthehen në fushë para muajit shtator dhe se kampionatet nuk do të mbylleshin në kushtet aktuale.

Sipas planit të qeverisë angleze për të përballuar pandeminë, ajo nuk do të arrijë kulmin në ishull deri në mesin e qershorit ndaj duket e vështirë që të mund të zhvillohen ndeshje gjatë muajve të ardhshëm, pasi ngrihen pikëpyetje të mëdha rreth sigurisë e shëndetit të lojtarëve e tifozëve.

Kësisoj, klubet duhet të mblidhen të diskutojnë se çfarë do të bëjnë, për të përballuar një krizë të rëndë financiare, pasi humbasin rreth 700 milionë paund nga e drejta televizive, para të cilat degëzohen deri në ligat më të ulëta të cilat kanë kërkuar që tani ndihmë ekonomike nga Federata pasi nuk dinë se si të paguajnë rrogat për ditët pushim.

Të gjitha do të diskutohen në mbledhjet e javës së ardhshme, por më parë Premier Liga dhe kampionatet e tjera duan të mësojnë vendimin e UEFA-s që pritet të bëhet publik të martën. /vipsport/