Armando Sadiku nuk di të ndalet dhe me rifillimin e kampionatit ka treguar se është në formë shumë të mirë dhe po ndjek me ngulm rekordin e skuadrës së Malagas në dekadën e fundit.

Klubi ka vuajtur vazhdimisht për një golashënues, edhe pse në radhët e tij kanë luajtur lojtarë me emër si Kazorla apo Isko dhe rezulton se ai që ka shënuar më shumë, ka qenë Rondon me 14 gola në një sezon.

Sadiku, sot në ndeshjen kundër Ekstremadura shënoi në pjesën e parë të sfidës një gol që i dha avantazhin skuadrës së tij, i 12-ti në këtë kampionat për Malagan. Që tani ai bëhet kësisoj i treti në renditjen e dekadës sa i përket golashënuesve më të mirë në kampionat në një sezon të vetëm për këtë klub.

Sigurisht, duke pasur edhe shumë ndeshje të tjera përpara, për sulmuesin mund të jetë më e thjeshtë që të thyejë këtë rekord, për ta bërë edhe më të paharrueshëm qëndrimin në klubin në fjalë që me shumë mundësi nuk do të zgjatë pas verës.

Edhe klubi po e ndihmon, duke e caktuar atë si goditësin e’penalltive në këtë periudhë dhe sulmuesi nuk ka gabuar në 5 tentativat e tij. /vipsport/