Vetëm dy vite ka që është krijuar (me formatimin e ri që i është bërë) dhe “Atletik Klub Shkodra” çdo ditë e më shumë spikat për performancën shumë të mirë në fushën e lojës, për projektet ambicioze për të ardhmen apo dhe risitë e ndryshme që sjell.

Një shoqatë e cila po funksionon në mënyrën e duhur dhe drejtuesi i saj Elton Bungaja në një intervistë për “Shkodra Sport” mundohet të bëjë një bilanc të sezonit të fundit, por edhe projektet që e presin atë në vazhdim.

– Bungaja, u mbyll një tjetër sezon i Ligës Amatore. Si ka qenë ai për ekipet e “Atletik Klub Shkodra”?

– Do ta konsideroja shumë pozitiv, ndonëse nuk ka qenë e lehtë. Vinim nga një sezon tjetër ku arritëm maksimumin duke dalë me 5 ekipe në finale ndërsa sivjet, ndonëse luanim thuajse në të gjitha kampionatet me futbollistë të një ditëlindje më të vogël, përsëri arritëm
sukses. Kemi dalë me tre ekipe në vend të dytë në kampionat dhe pikërisht me U9, U11 dhe U15 si dhe me dy të tjerë në vendet e treta, me U13 dhe U17.

Besoj se kjo renditje flet vetë dhe mund të jemi ndoshta Akademia më e suksesshme në Zonën e Shkodrës për këtë sezon.Këtë nuk e bazoj vetëm tek rezultatet por edhe tek shumë gjëra të tjera. Vazhdon të punohet me të njëjtën dëshirë e përkushtim nga të gjithë, duke u munduar t’u krijojmë kushte sa më të mira stërvitje fëmijëve dhe jo vetëm kaq, por edhe nivel më të lartë trajnimi.

Kjo mënyrë pune ka bërë që nga 140 fëmijë të cilët kemi patur të rregjistruar në sezonin e kaluar, në këtë që sapo u mbyll të jenë 170! Çka vërteton më së miri faktin se prindërit vazhdojnë të na i besojnë fëmijët e tyre gjithnjë e më shumë dhe kjo për ne është vërtetë një kënaqësi e madhe.

– Një nga sukseset e Akademisë tuaj është edhe paraqitja shumë e mirë në turneun e Roverettos në Itali?

– Patjetër sepse në këtë turne prej vitesh, po mundohemi ta përfaqësojmë me dinjitet futbollin shkodran dhe atë shqiptar në mes shumë ekipeve pjesmarrëse nga mbarë Bota. Edhe edicioni i sivjetëm mund të konsiderohet shumë pozitiv sepse ekipi ynë U11 u rendit në vendin e dytë në mes 36 ekipeve, ndërsa ekipi U15 u rendit në vendin e katërt. Këto besoj se janë arritje për ekipet tona.

– Një meritë të madhe besoj në këto arritje ka i gjithë stafi i trajnerëve apo jo?

– Padyshim që e gjitha është meritë e tyre. Janë trajnerë që punojnë me plot përkushtim dhe bashkë me Erion Mandin, Saimir Kaloshin, Elis Legatën dhe Lirjet Lujkajn, jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme për këta fëmijë që ata në rradhë të parë të ndihen mirë, të edukohen ashtu si duhet dhe në fund, të punojmë për t’i bërë edhe sportistë të mirë.

– Periudhë pushimi tashmë por besoj se keni filluar të bëni planet për sezonin e ri, apo jo?

– Kjo është mëse normale sepse nëse nuk do ta kemi të qartë se çfarë do të bëjmë, nuk mund të ecim përpara pastaj. Ne si kryesi e shoqatës kemi marrë një vendim për shtimin e stafit teknik sepse kjo gjë tashmë ka dalë domosdoshmëri. Siç e thashë, numri i fëmijëve që rregjistohen tek Akademia jonë rritet çdo ditë dhe kjo duhet të pasohet edhe me marrjen e trajnerëve të tjerë. Ashtu siç po punojmë për ta kompletuar stafin tonë edhe me një fizioerapist dhe me një trajner të përgatitjes atletike.

– Duket se keni një bashkëpunim të mirë me Akademinë Vllaznia. Do vazhdojë ai edhe në të ardhmen?

– Padyshim që Vllaznia është qendra, klubi për të cilin ne të gjithë duhet të punojmë. Bashkë me drejtuesit e Akademisë së saj, prej dy sezonesh kemi nisur një bashkëpunim shumë të mirë dhe të gjithë elementët cilësorë që mendojmë se i shërbejnë kësaj skuadre, i kemi lënë të lirë të bashkohen me të. Ky bashkëpunim ka filluar kohë më parë dhe futbollistët e parë që nga “Atletik” kaluan tek Vllaznia kanë qenë portieri Erjon Zefi dhe mbrojtësi Sehar Bushaj që luan me shumë sukses tek ekipi U19.

Ndërsa në sezonin e fundit, katër futbollistë tanë kanë kaluar tek ekipi U17 i Akademisë Vllaznia dhe konkretisht Ardit Nikaj, Shpëtim Sufaj, Erald Jukaj dhe Reinis Tukaj. Qëllimi dhe dëshira jonë është të kontribuojmë për futbollin shkodran dhe bashkëpunimi me Vllazninë është prioritet për ne.

– Ka qenë e vështirë të arrish kaq shumë suksese në një periudhë kaq të shkurtër me “Atletik Klub Shkodra”?

– Jo, aspak e vështirë. Kur gjërat bëhen me dëshirë e pasion, çdo gjë është e arritshme. Përpos kësaj, ne kemi patur edhe mbëshetetjen e shumë miqve dhe dashamirësve ku dua të veçoj kompanitë “Eurosistem” dhe “Century 21” me drejtuesit e tyre Elidon Maraçaj dhe Erlin Maraçaj, të cilët prej tre vitesh janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë herë pas here.
© shkodrasport.com

Rezultatet për sezonin 2018-2019:
U9 vend i dytë
U11 vend i dytë
U13 vend i tretë
U15 vend i dytë
U17 vend i tretë