Aktualisht si pjesë e Kombëtares U-19, por Armando Cungu, nuk harron që të hedhë vështrimin edhe nga Superiorja. Sigurisht që, edhe vetë detyra e tij te Shqipëria U19, e kërkon që të ndjekë vazhdimisht kampionatin shqiptar, për të tërhequr talentet më të mira.

Si një njohës i vjetër i futbollit tonë dhe vitet e kaluara në pozicionin e trajnerit, Cungu ka bërë vlerësimin e tij për ndeshjen Kukësi-Vllaznia, duke e konsideruar si një ndeshje të dobët për të dy ekipet. Në intervistën e dhënë për “Shkodra Sport”, Cungu u shpreh se ishte një Vllazni pa impuls dhe pa ide dje në fushën e lojës.

“Mendoj që ishte një ndeshje e dobët për të dy ekipet. Ajo ç’ka na intereson më tepër është Vllaznia.

Një Vllazni pa impuls, e vakët, pa ide ku të merrte malli, për të parë dy pasime apo një kombinim dhe një aksion të ndërtuar. Në të shumtën e rasteve, vihej re loja me topa të gjatë, ç’ka tregon për lojën e paorganizuar, ku përmes këtij stili loje, mundësia për ta fituar, një ndeshje duket e largët.

Pavarësisht ndonjë mungese të ndonjë lojtari, kjo nuk justifikon aspak mënyrën e lojës, pasi Vllaznia e këtij sezoni ka ndërhyrë shumë në merkaton e verës, si asnjëherë në vitet e fundit dhe ku ka kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh, për të luftuar në çdo ndeshje. Për të qenë të sinqertë prej shumë ndeshjesh, shohim një Vllazni, me shumë oshilacione, si në lojë, ashtu në rezultat.

Vllaznia kishte një mundësi shumë të mirë për ta fituar ndeshjen direkte për vendin e tretë me Kukësin, i cili vinte i dërrmuar psikologjikisht nga disa ndeshje të dobëta dhe sidomos ndaj Partizanit, me atë humbje 5-0 dhe u duk qartë ky problem i Kukësit si një ekip i dorëzuar edhe me Vllazninë. Vllaznia duhej ta shfrytëzonte këtë moment për të kapur vendin e tretë dhe për të tentuar ta mbajë deri në fund, për të siguruar automatikisht një vend në kupat e Europës.

Mos të harrojmë që, vendi i katërt nuk është i sigurtë, fut këtu edhe Partizanin që po duket i “gjallë” në javët e fundit dhe po kërkon tashmë një vend në Europë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Shqipërisë U19, Armando Cungu.
Maringlen ZHIVANI