Stadiumi “Air Albania” do mbyllë dyert për ndeshjet e Superligës shqiptare, duke u bërë gati për finalen e Conference League, që do zhvillohet në Tiranën në 25 maj. Sfida i është besuar Shqipërisë, me UEFA që ka rregulla të qarta sa i takon organizimeve.

Më shumë se dy muaj e gjysmë nga finalja, stadiumi do i nënshtrohet një ndryshimi për mbrëmjen e 25 majit. Mësohet se UEFA kërkon disa studio të tjera televizive, të cilat do jenë në ambient të hapur.

Gjithçka do kryhet në sektorin mik të stadiumit, aty ku vendosen tifozët. Kjo do të thotë se për finalen e 25 majit, në impiant nuk do jenë 22 mijë tifozë, por 18 mijë.

Pikërisht reduktimi i numrit të spektatorëve vjen sepse në një sektor do montohen studiot televizive të hapura, për kanalet që kanë interes në transmetimin e sfidës dhe komentimin nga stadiumi. Pas finales, pritet që stadiumi të ketë kapacitet të plotë.