Pas një ecurie shumë të mirë në gjysmën e parë të kampionatit, Vllaznia U-17 e ka nisur edhe gjysmën e dytë me fitore.

Në ndeshjen e parë ka mundur Akademinë e Futbollit me rezultatin 2-0, falë golave të shënuar nga Barbullushi dhe Mali.

Ekipi vazhdon të mbajë sërish vendin e parë në renditje dhe zëvendëstrajneri i tij Denis Zmijani, në një prononcim për “Shkodra Sport”, bën të ditur se objektivi do të jetë fitimi i titullit kampion.

“Kemi bërë një ecuri shumë të mirë deri më tani në kampionat. Kryesojmë me meritë renditjen dhe padyshim që do të tentojmë ta mbajmë këtë pozicion deri në fund.

Natyrshëm që nuk është ky pikësynimi ynë por duke parë që skuadra funksionon, që luan bukur futboll dhe i mund të gjithë kundërshtarët, patjetër që edhe fitimi i trofeve vlen.

Në gjirin e ekipit kemi disa lojtarë me të dhëna të mira dhe ne si staf besojmë në aftësitë e tyre. Vetëm duke punuar fort, mund të arrijmë objektivin që kemi”- ka deklaruar numri 2 i pankinës së kësaj skuadre.
© shkodrasport.com