Në dy ndeshjet e fundit ka marrë dy barazime dhe si rrjedhojë, i është larguar edhe më shumë vendeve të para të renditjes. Për drejtuesit e Tërbunit një situatë e tillë është e pashpjegueshme dhe për këtë arsye, paralajmërohen ndërhyrje në skuadër.

Ka qenë drejtori teknik Alfred Pjetri ai i cili në një prononcim për mediat ka shprehur pakënaqësinë e tij për këto rezultate. Në fillim ai është ndalur tek ndeshja e para tre ditëve në Librazhd ku ndonëse Tërbuni ishte në avantazh të dy golave, në fund nuk mori më shumë se një pikë nga barazimi 2-2.

“Ndeshja nisi mirë dhe ishim në avantazh të dy golave deri në minutën e 83-të, por kur në fund kundërshtari të merr barazimin, kjo është e pafalshme. Duke luajtur në këtë mënyrë kemi lënë shumë pikë dhe në vend që të ishim në një vend komod në renditje tani, në fakt jemi disi larg.

Por gjithsesi deri në fund ne nuk do të heqim dorë nga realizimi i objekivit që i kemi vënë skuadrës. Për ta arritur këtë gjë, do iu kërkoj lojtarëve të qëndrojnë me këmbë në tokë. Fillimisht për ta kaluar me sukses ndeshjen e fundit të këtij viti, atë me Adriatikun dhe fitoren me të as që duhet ta diskutojmë.

Më pas, bashkë me trajnerin Bardhi dhe presidentin Rrok Dodaj do të mendojmë për merkaton e janarit. Ndërhyrja është e domosdoshme për të rritur cilësinë në ekip. Besoj se faza play-off është e arritshme për ne.

Ka lojtarë që ende nuk kanë dhënë asgjë për Tërbunin dhe do të lihen të lirë në janar. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë, njëkohësisht presidentin e klubit, i cili po i qëndron shumë afër ekipit duke qenë shumë korrekt sa i takon anës financiare kështu që presim reflektim”- është shprehur drejtori teknik i Tërbunit Alfred Pjetri./SHKODRA-SPORT.COM/