Emiliano Çela, trajneri i Kastrioti, beson se barazimi pa gola ndaj Tiranës ishte i përgatitur për mënyrën se si rrodhi ndeshja dhe ishte i merituar. Duke folur për “Oversport” ai tregoi ndryshimet e ekipit të tij, duke theksuar se ende nuk janë përcaktuar objektivat konkret të sezonit.

“Të them të drejtën, për mënyrën se si shkoi loja, rezultati i përgjigjet më së miri. Se pavarësisht pretendimeve për një rast të Tiranës në pjesën e dytë mendoj se rastet më të rëndësishme gjatë ndeshjes i patëm ne në pjesën e parë. Patëm probleme në ndarjen e linjave të presingut, patëm probleme ndoshta edhe për cilësinë e ekipit kundërshtar në mesfushë. E kishim përgatitur mirë ndeshjen se mesfusha është burimi i energjisë për Xhixhën dhe Hasanin, u munduam të krijonim aty rezistencën tonë.

Pjesa e dytë ishte interpretuar e shkëlqyer, pavarësisht rastit të fundit, edhe pse është e patolerueshme që të marrësh një rast në atë minutë, por u çekuilibruam në fund. Patëm edhe ne një rast të pastër. Por kthehem te e para që barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe jam i kënaqur nga performanca e ekipit tim sepse në fund të fundit morëm pikë ndaj ekipit që u shpall kampion pak muaj më parë.

Vllaznia e Egnatia janë ekipe agresive që kanë një mënyrë loje në fushat e tyre përkatëse. Për mendimit tim të gjitha fushat janë shumë të forta, të investuara, të gjithë punojnë, djerësitin dhe në fund duan hakun e tyre, por ne nuk ecim me kalendarin në dorë, do të bëjmë maksimumin ndaj çdo kundërshtari. Kur bëjmë maksimumin bëhemi ekip i rrezikshëm.

Janë ekipe të tjera si Bylis, Erzeni, ndoshta edhe Teuta, që ne na vënë në pozita të tjera, në pozita sulmuese se na presin mbrapa. Pra 30% e ekipeve të Superiores do na luajnë ndryshe, ndaj duhet të përgatitim disa mënyra loje, nuk mund të luajmë me të gjithë kundërshtarët të tërhequr.

Është shpejt për të shpallur objektiva, sepse është akoma java e katërt e kampionatit, megjithëse këtu në Shqipëri gjërat kërkohen pak shpejt. Por pavarësisht se kemi rrotull grupin, kemi futur disa mënyra të tjera loje, se me disa ekipe do të flasim ndryshe. Për objektiva është herët të flasësh, duhet të marrim ndeshjet se dy të radhës në rast dështimi çdo gjë na kthehet në fazën fillestare. Hap pas hapi, duke parë pikët që mund të mbledhim, mund të dalim në objektiva konkrete”, tha Çela.