Të mërkurën luhen ndeshjet e javës së 33-të dhe programi është përcaktuar, teksa dy takime luhen prej orës 16:00, ndërsa tre të tjerat në 19:00.

Gjithçka nis me takimet Luftëtari-Partizani dhe Lushnja Skënderbeu, kurse në mbrëmje luhen të tjerat.

Flamurtari pret Laçin, Teuta Kukësin, kurse Vllaznina Kamzën në një finale që vlen për mbijetesën në Superiore.

Por ekipet nuk do të kenë kohë të pushojnë dhe tanimë FSHF ka vendosur që të gjitha ndeshjet të zhvillohen në të njëjtin orar.

Në bashkëpunim me Superport, është përcaktuar që të gjitha takimet të luhen prej orës 17:00 ditën e diel.

Në stadiumin “Zeqir Ymeri” mund të luhet edhe për vendin e dytë, por kjo varet nga sfidat e së mërkurës se si do të përfundojnë.

Kukësi do të presë pikërisht Luftëtarin e vendit të tretë, në një takim që pritet të jetë mjaft interesant.

Skënderbeu do të kërkojë të festojë me tifozët në ndeshjen me Teutën, kurse në Laç luhet pa praninë e publikut.

Bardhezinjtë ndeshen me Teutën dhe kërkojnë të marrin fitoren e katërt ndaj verdhejeshilëve, ndërkohë që në “Selman Stërmasi” luhet një takim mjaft i fortë mes Partizanit dhe Vllaznisë.

Të kuqtë janë të dënuar për të luajtur edhe një takim pa tifozë, por me shumë mundësi do të paguajnë gjobën prej 5 milionë lekësh që të luhet me praninë e publikut.

Kamza-Flamurtari është takimi tjetër, me vendasit që do kërkojnë të marrin tre pikët, për të tentuar qëndrimin në Superiore. /EDS/

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 34

E dielë, më 13 maj 2018
17:00 Kukësi-Luftëtari
17:00 Skënderbeu-Teuta
17:00 Partizani-Vllaznia
17:00 Kamza-Flamurtari
17:00 Laçi-Lushnja

RENDITJA: Skënderbeu 69 pikë, Kukësi 61 pikë, Luftëtari 51 pikë, Laçi 46 pikë, Partizani 46 pikë, Flamurtari 44 pikë, Kamza 39 pikë, Teuta 37 pikë, Vllaznia 37 pikë, Lushnja 11 pikë