Xhanluixhi Bufon është kthyer në Torino pas një sezoni larg Juventusit. Portieri provoi një aventurë në Francë me PSG, por mesa duket aventura nuk shkoi sipas pritshmërive dhe 41-vjeçari do të kthehet për t’i vënë kapak karrierës së lavdishme te klubi i zemrës. Sipas ‘Sky’ dita e nesërme do të jetë e dedikuar për vizitat mjekësore, ndërsa Bufon ka pranuar të jetë portieri i dytë.

Gardiani do të jetë zëvendësi i Sheznit, teksa në marrëveshje është parashikuar të luajë një numër të caktuar ndeshjesh në kampionat dhe Champions League. Kështu, gardiani do të ketë mundësinë të thyejë rekordin e Maldinit, i cili për momentin është lojtari me më së shumti prezenca në Serinë A.

Bufon do t’i duhen edhe 8 paraqitje për të kaluar legjendën e Milanit, ndërkohë që në Ligën e Kampionëve do të mund të aktivizohet në dy ndeshje në fazën e grupeve, në fazën tjetër atë me eliminim direkt, Shezni do të jetë i padiskutueshëm.

Në këtë mënyrë, Bufon edhe do të përgatitet për rolin drejtues që do të marrë në klubin bardhezi, pasi të përfundojë edhe vitin e fundit të karrierës me dorezat në duar./VipSport/