Një “mbret” pa “Pallat Mbretëror”! Kështu mund të cilësohet Izmir Smajlaj, kampioni i Europës në kërcim së gjati.

Atleti shqiptar që u shpall kampion Europe në Beograd është detyruar të emigrojë sërish nga vendi ynë. Kjo për shkak se në Shqipëri mungojnë pistat e mbuluara të përshtatshme për stërvitjen e tij.

Ndaj, Izmir Smajlaj është detyruar të emigrojë për të përmirësuar aftësitë e tij deri në San Marino.

Një tur që do të vijojë me Italinë, Turqinë, Gjermaninë dhe ndoshta deri në Kubë.

“Është hera e tretë që vij në San Marino. Një javë para Europianit që u zhvillua në Beograd dhe ku u shpalla kampion, unë kam ardhur këtu dhe jam përgatitur për garën”, shprehet Smajlaj për “RTV San Marino”.

“Jam stërvitur shumë këtu, fitova në Beograd dhe përmirësova rekordin shqiptar në disiplinën time me 8.08”, tha më tej atleti shqiptar.

Në 2018-ën do të zhvillohet Botërori në Birmingham dhe Europiani në Berlin, përkatësisht në maj dhe në gusht.

“Në Birmingham dua të fitoj një medalje, por synimi im është Berlini ku dua të mbroj titullin kampion Europe”, u shpreh atleti Izmir Smajlaj./