Pas kupës “26 Marsi” zhvilluar para pak kohësh në Kavajë, javën e ardhshme do të zhvillohet aktiviteti i dytë për çiklizmin shqiptar.

Bëhet fjalë për trofeun “Agim Tafili”. Një aktivitet i përvitshëm në fakt i Federatës Shqiptare të Çiklizmit por që sivjet ka një të veçantë.

Ai do të ketë edhe mbështetjen e Bashkisë Shkodër. Kjo e fundit do ta mbështesë edhe financiarisht me një fond të veçantë që ka akorduar në buxhetin e vitit 2018.

Në këtë aktivitet dy ditor do të marrin pjesë çiklistët më të mirë të Shqipërisë por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të ftuar të veçantë nga Kosova apo dhe Maqedonia.

Etapa e parë e trofeut “Agim Tafili” do të jetë ajo që do të zhvillohet më 20 prill me itinerarin nga dalja e Tiranës deri në Shkodër.

Ndërsa një ditë më pas, pra të shtunën më 21 prill do të zhvillohet etapa e dytë, ajo Shkodër- Pukë- Shkodër.

Padyshim që edhe në këtë aktivitet, çiklistët e Vllaznisë do të tentojnë të zënë vendet e para si në renditjen individuale ashtu edhe në atë ekipore.
© shkodrasport.com