Legjenda e futbollit shkodran dhe atij shqiptar në përgjithësi, Sabah Bizi është i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Top-Channel.Ai ka folur për gjendjen aktuale të skuadrës së Vllaznisë, duke u treguar edhe optimist se situata e vështirë e shkodranëve do të kalojë shumë shpejt.
“Prej tre vitesh kam probleme me shikimin. Në këtë situatë i ndjek ndeshjet e Superligës dhe Kategorisë së Parë përmes radios. Por kam një vërejtje për komentatorët, sepse sipas mënyrës se si komentojnë ndeshjet, ato duhet të përfundojnë 30-20.
Janë kthyer në tifozë të çmendur. E bëjnë pak të vështirë këtë punë. Për sa i përket ndeshjes Vllaznia-Kukësi e kam pritur me padurim. Trajneri Gjoka afroi lojtarë në repartet ku i duheshin ekipit.
Erdhi Malota, Berisha dhe Mersini në mbrojtje. Por nuk funksionoi, pasi ishte ndeshja e parë për këtë vit kalendarik. U mendua për kalimin e Orelesit në mesfushë, një tjetër lëvizje në skuadër.
Por, Vllaznia po tregon luhatje të shumta. Këtë gjendje ka shfaqur edhe me Kamzën, Luftëtarin dhe Lushnjen. Vllaznisë i mungon lojtari gol. Por, jam i bindur se Vllaznia do të ndryshojë në ndeshjet e radhës”, tha ish-futbollisti Sabah Bizi./vipsport/