Kastrioti bën një goditje shumë të rëndësishme në merkaton e janarit, teksa afron sulmuesin e krahut, Redon Mihana, i cili deri në ndeshjen e fundit për kampionat ka qenë pjesë e Egnatias.
“Redon Mihana është afrimi i parë i Kastriotit në këtë merkato dimërore. Sulmuesi anësor vjen te Kastrioti pas eksperiencave me Apoloninë, Dinamon dhe së fundmi Egnatian.
23-vjeçari prej ditës së djeshme i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës ndaj Bylisit”, shkruhej dje në faqen zyrtare të Kastriotit. Ndërkohë, “Panorama Sport” ka mësuar se përveç sulmuesit brazilian, Gabriel Morbek, nga skuadra krutane janë larguar edhe qendërmbrojtësi Bekim Dida, si dhe mesfushori nga Iraku, Jusuf Zetuna. Të dy lojtarët kanë qëndruar më tepër në stol dhe s’kanë pasur hapësira.
SITUATA – Humbja e thellë në Laç ka shqetësuar drejtuesit e Kastriotit, të cilët kanë zhvilluar dje një mbledhje me skuadrën. Nuk kanë munguar kritikat, ndërsa fokusi tashmë është te ndeshja me Bylisin, që do të luhet të dielën në Ballsh.
Kjo transfertë delikate vjen në momentin më të keq te krutanët, të cilët do të kërkojnë të bëjnë kthesën e madhe. Trajneri Mema do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, duke pasur kështu luksin e përzgjedhjes për formacionin.