Karrierën e tij me gjasë, Mevlan Adili mund ta vazhdojë larg Vllaznisë. Qendërmbrojtësi shqiptaro-maqedonas, i cili ndihmoi shkodranët për të fituar Kupën e Shqipërisë, me një gol të shënuar në shtesën e parë, ka kontakte me disa skuadra të huaja.

Momentalisht, emri i ekipeve nuk bëhet i ditur, por në vazhdim priten zhvillime të reja. Vetë Adili, nuk ka ngurruar ta deklarojë preferencën për të vijuar bashkëpunimin me kuqeblutë.

Megjithatë nga ana tjetër, ai është shprehur se po studion ofertat e ardhura në adresë të tij dhe nëse nuk i përmbushin kërkesat që Adili ka për të luajtur jashtë vendit, me të gjitha gjasat, mund të firmosë përsëri edhe këtë sezon me kuqeblutë.

Megjithatë, zhvillime të reja priten në vazhdim për të ardhmen e futbollistit, që sezonet e fundit ka fituar edhe simpatinë e tifozëve shkodranë. Ai u afrua te Vllaznia në merkaton e dimrit të edicionit 2019-2020, nga rradhët e Shkupit, teksa falë paraqitjeve bindëse, shumë shpejt fitoi edhe vendin e titullarit.

Në fakt, qendërmbrojtësi ka qenë titullar i pëhershëm në formacionin e Vllaznisë për dy sezone me rradhë. Në sezonin që sapo u mbyll, Adili u aktivizua në 33 ndeshje, 32 prej të cilave i nisi nga minuta e parë.
Maringlen ZHIVANI