Humbja e mbrëmshme ndaj Teutës tregoi se Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje të tjera në merkato. Presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori teknik Altin Halili kishin ditë që e diskutonin këtë gjë megjithatë kanë qenë në dilemë. Kjo ngaqë kanë dashur të shohin pjesën tjetër të skuadrës nëse se si do të paraqitej ndaj durrsakëve.

Kjo ndeshje tregoi jo pak dobësi dhe për këtë arsye, pas ndeshjes presidenti është parë të diskutojë me trajnerin Neven Plantak. Siç bëhet e ditur, të dy ata por edhe drejtori teknik Halili janë të mendimit se skuadrës i duhen përforcime.

Për këtë arsye kanë nisur menjëherë përpjekjet për të sjellë në Shkodër edhe dy basketbollistë të tjerë. Ata do të jenë të huaj por do shihet mundësia nëse ata do të jenë amerikanë sërish apo nga Ballkani. Me shumë të ngjarë do të jenë nga vendet fqinje.

Kampionati është bërë shumë i fortë dhe në një momentet kur edhe ekipet e tjera janë përforcuar, Vllaznisë i shtohet vështirësia për të arritur objektivin, daljen nga vendi i fundit ku ndodhet aktualisht në renditje.
© shkodrasport.com