Dinamo arriti të kualifikohet në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë pasi ditën e sotme mposhti Erzenin 2-0 duke dhuruar spektakël në ndeshjen e luajtur në Rrogozhinë.

Pas ndeshjes, për SuperSport, trajneri Bledi Shkëmbi u shpreh se ishte mjaft i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por tanimë vëmendja kalonte tek sfida në kampionat ndaj Vllaznisë, që do të luhet ditën e hënë.

“E prisnim të kualifikoheshim pavarësisht gabimit të ndeshjes së parë. Mendoj që e filluam mirë, me raste me dy gola të shënuar shpejtë. U munduam të ruajmë energji, u vumë në vështirësi por në asnjë moment nuk e vumë në dyshim kualifikimin.

Çdo ndeshje në kampionat është e rëndësishme, aq më tepër luajmë kundër Vllazninë një ekipi shumë të mirë dhe të fortë. Por që duhet të rikuperojmë nesër, pasnesër lojtarët dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e së hënës ku shpresoj dhe besoj se do të bëjmë mirë”, u shpreh tekniku Shkëmbi.