Thomas Strakosha tashmë nuk cilësohet më një zbulim, por një nga emrat më të fortë të përbërjes së Lacios së këtij edicioni.

Portieri i përfaqësueses shqiptare është i paprekshëm në radhët e skuadrës italiane të cilën po mundohet ta kthejë sa më parë në zonën Champions si dhe që të ecë sa më shumë të jetë e mundur në Ligën e Europës.

Aktivitet në të cilin merr pjesë në këtë edicion.Nga ana e tyre, edhe drejtuesit e Lacios kanë filluar t’i japin portierit besimin e duhur, për t’i treguar se tashmë është kthyer në një të pazëvendësueshëm dhe sinjali më i qartë vjen sot nga vendimi më i fundit i klubit.

Lacio luan nesër ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës përballë Stauas së Bukureshtit dhe si zakonisht, në ditën para takimit zhvillohet konferenca për shtyp e trajnerit dhe kapitenit të ekipit, ose një prej figurave më përfaqësuese të tij.

Klubi i Lacios ka zgjedhur që në sallën e konferencave, përkrah trajnerit sot të ulet Strakosha, pasi mendon se portieri është kthyer në një figurë përfaqësuese të këtij cikli ambicioz i cili po afirmon klubin mes më të mirëve në Itali dhe me synime të qarta që të përsëritë veten edhe në Europë.

Lacio është mundur 1-0 në takimin e parë ndaj Steauas, ndërsa luan nesër ndeshjen e kthimit. /vipsport/