Një nga shprehjet e zakonshme në sport është ajo se nëse nuk ke ego, nuk mund të bëhesh një sportist cilësor.

Kjo gjë është thënë vazhdimisht.Dhe nëse sot kemi disa figura të mëdha, kjo ka ardhur prej egos, karakterit, stërvitjes por edhe talentit që kanë poseduar.

Të gjithë e mbajnë mend Eljaz Gurin, kampionin e madh të mundjes.

Sot, i biri- Elisi, ka arritje më të mëdha në karrierë sesa ai sepse ka arritur të shpallet edhe kampion Bote por kampioni veteran, edhe në rolin e prindit, edhe në rolin e këshilluesit kryesor të të birit, asnjëherë nuk ka qenë i kënaqur me atë çfarë arrinte ai.

Madje edhe kur u shpall kampion bote, sërish Eljazi ka patur vërejtje. Po, po, vërejtje.

Këtë gjë e ka zbuluar për herë të parë pas shumë vitesh Elisi kur në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Në sport gjithëkush ka një idhull dhe kur ke idhull babanë tënd, nuk ka si të jetë më mirë, sepse e ke idhullin në shtëpi çdo ditë.

Por nga ana tjetër ka qenë gjithmonë shumë kritik ndaj meje. Po ju tregoj vetëm një detaj të vogël.

“Në momentin e parë që e mora në telefon sapo u shpalla kampion bote, ndodhesha në Turqi dhe padyshim që desha ta ndaja me të këtë gëzim të jashtëzakonshëm.

“Babë, kam dalë kampion bote”- i them unë. Dhe e dini cila ishte përgjigja e tij? “Po mor burrë por atë supleksin ta kishe ba me një aplitudë ma të madhe”.

E shoh celularin dhe mendoj çfarë po thotë ky njeri mor dhe i përgjigjem sërish: “O babë, kam dalë kampion bote”.

Dhe ai sërish me një ftohtësi absolutet më thotë: “Mirë, mirë, hajt urime”. Diçka fantastike vërtetë.

Një njeri që nuk kënaqej kurrë me atë çfarë arrinte, por e donte çdo gjë në perfeksion, i gatuar në atë mënyrë”- thotë kampioni Elis Guri.
© shkodrasport.com