Problemet për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë duket se tashmë kanë marrë fund dhe stërvitja ka nisur dhe po bëhet gati për nisjen e kampionatit. Kuptohet që situata nuk është shumë e mirë sepse pas disa sezonesh, për herë të parë ndoshta sivjet, kuqeblutë do të kenë një përbërje të plotë vetëm me shkodranë.

Por një lajm i mirë për stafin teknik të Vllaznisë është rikthimi në ekip i shtatëlartit Herion Faslija. Lojtari që luan në pozicionin e qendrës, sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Teutës dhe tashmë ka vendosur të rikthehet në Shkodër. Prania e tij në ekip padyshim që është plus më tepër për të nisur nga mungesa e disa titullarëve në krahasim me sezonin e kaluar. Objektivi i kuqebluve për momentin është vetëm sigurimi i një vendi në katërshen e ekipeve më të mira të cilat do të luftojnë më pas në play-off për fitimin e titullit kampion. Kjo padyshim që do të jetë e vështirë sepse Vllaznia sapo ka filluar stërvitjen dhe po ashtu edhe përbërja nuk garanton shumë por gjithçka mund të ndodhë.

© shkodrasport.com