Dashuria për Carlo Ancelotti nuk është shuar asnjëherë te Chelsea, që janë gati të rikthejnë trajnerin italian në stol, për të zëvendësuar patriotin e tij Antonio Conte. Ndërsa ky i fundit do të udhëtojë drejt Spanjës, për të qenë trajneri i ardhshëm i Real Madrid, ku do të zëvendësonte Zinedine Zidane. Sipas të përditshmes britanike “The Sun”, trajneri aktual i Chlesea shihet si zëvendësuesi ideal për Zidane, dy trajnerë që praktikojnë thuajse të njëjtin stil loje dhe është një drejtues që pëlqehet shumë nga presidenti Florentino Perez.

Vendin e Conte në stolin e “bluve” të Londrës do ta zërë një tjetër trajner italian, Carlo Ancelotti, që aty ka arritur disa suksese, por transferimi te Bayern Mynih nuk ishte me fat, duke u shkarkuar dy muaj më parë. Duket se presidenti Roman Abramovich ka bërë bisedimet e para me trajnerin italian, duke i ofruar mundësinë që të rikthehet te skuadra londineze. Gjithsesi, për t’u ulur në stolin e Chelsea ka disa kandidatë të fortë, por duket se presidenti rus është i dashuruar me trajnerët italianë, ndaj Ancelotti shihet si favoriti në këtë garë.