Peshëngritësit e ekipit të Vllaznisë prej 7-8 muajsh stërviten në kushte aspak komode, pikërisht në një nga korridoret e dhomave të zhveshjes të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Ka ndodhur kështu për shkak të prishjes së palestrës së këtij ekipi për shkak të rikonstruksionit të stadiumit dhe sportistët janë në pritje të ndërtimit të palestrës së re. trajneri i Vllaznisë Muhamet Tuzi, në një prononcim për shkodrasport.com, e evidenton këtë fakt duke thënë se ka ndikuar padiskutim në përgatitjen e peshëngritësve.


“Natyrisht që një situatë e tillë nuk është aspak e përshtatshme sepse stërvitemi në kushte aspak komode por kemi qenë të detyruar të veprojmë kështu sepse nuk kishim zgjidhje tjetër. Prishja e palestrës aktuale nga rikonstruksioni që po i bëhet stadiumit, ka bërë që ne të jemi në këtë situatë megjithatë shpresojmë që shumë shpejt të na përfundojë palestra e re dhe pastaj gjërat do të jenë ndryshe”- ka thënë ai.Megjithatë, ekipi shkodran është në përgatitjet e fundit  për të marrë pjesë në garat e Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohen më datë 4 mars. Trajneri Tuzi bën të ditur se Vllaznia do të përfaqësohet me 6 sportistë dhe objektivi si ekip është zënia e njërit prej tre vendeve të para. “Vllaznia do të përfaqësohet në kupë me 6 sportistë dhe pikërisht me Emanuel Lushin, Erkand Qerimajn, Vasil Trebickën, Gridi Jahjes, Xhulio Prronin dhe Marjan Bregun. Objektivi është i qartë për ekipin tonë, të renditemi në mes tre vendeve të para dhe nëse gjërat na shkojmë ashtu siç i mendojmë, nuk është çudi që të marrim edhe kupën”- është shprehur trajneri Tuzi.Sporti peshëngritjes është një nga sportet e elitës dhe kuptohet që prej tij priten rezultate të larta si në arenën kombëtare ashtu dhe në atë ndërkombëtare.
Gjergj KOLA