Vllaznia në volejboll për meshkuj ka arritur fitoren e rradhës në kampionat. Ajo ka mundur me rezultatin e pastër 3-0 ekipin e Skënderbeut të Korçës. Ndeshja është luajtur paraditen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vetëm në setin e parë ka patur deri diku rivalitet, set ky që do të mbyllej me rezultatin 25-22 për vendasit. Në të dytin, epërsia e volejbollistëve shkodranë do të vinte duke u rritur dhe ai do të mbyllej në shifrat 25-15.

Kaq do mjaftonte që korçarët të mos kishin më dëshirë për të luajtur dhe në setin e tretë, ndonëse trajneri Artan Kalaja ka aktivizuar të gjithë lojtarët e stolit, sërish edhe ata arrijnë të fitojnë, madje me një diferencë më të madhe, 25-11. Përfundimisht 3 me 0 për Vllazninë që në këtë mënyrë arrin fitoren e rradhës në kampionat. Me këtë fitore, volejbollistët shkodranë kanë forcuar pozitat e tyre në katër ekipet më të mira të vendit megjithatë objektivi është për më lart. Për momentin ai është hyrja në treshe në mënyrë që në fazën e plej- ofit të ketë më shumë shanse për të kaluar në finale. Nuk përjashtohet mundësia që për fazën e  dytë të ekipit të ketë përforcime megjithatë kjo ende nuk është vendosur nga drejtuesit e klubit.

© shkodrasport.com