Tek skuadra shkodrane ka vetëm një apo dy enigma të vogla sa I takon formacionit me të cilin do të luajë në ndeshjen e nesërme me Kukësin. Për t’u saktësuar nga ana e trajnerit është vetëm mënyra sesi do ta zgjidhë vendosjen në repartin e mbrojtjes dhe atë të mesfushës sepse ka ndonjë dilemë të vogël. Kjo ka ardhur edhe nga dëmtimi që ka patur mbrojtësi Semina megjithatë ai tashmë duket në rregull dhe kësisoj formacioni anti- Kukësi e ka marrë formën e tij.
Mbrojtja
Në portë pa asnjë dyshim që do të jetë malazezi Vujadinoviç, që është edhe pika më e fortë e kësaj skuadre. Në mbrojtje I sigurtë në pozicionin e tij, atë të mbrojtësit të djathtë, është vetëm Elvin Beqiri dhe bashkë me të edhe mbrojtësi I qendrës, malazezi tjetër Rajoviç. Ka një dilemë se kush do të luajë përkrah tij, Sykaj apo Semina. Në Durrës, në miqësoren me Teutën, Sykaj ka luajtur në mesfushë si shkatërrues dhe Semina në qendër ndërsa Belisha ka qenë I vendosur në krahun e majtë megjithatë ndaj Kukësit pritet të ketë një vendosje tjetër. Bëhet fjalë për një kthim të Sykajt sërish prapa ndërsa Semina që është rikuperuar nga dëmtimi, do luajë në krahun e majtë. Trajneri Canaj duket se e ka ndarë mendjen për këtë gjë.
Mesfusha
Edhe këtu ka një dilemë se çfarë skeme do aplikohet. Mund të luhet me dy mesfushorë shkatërrues dhe tre të avancuar pas një sulmuesi- pykë por skema më e mundshme është ajo e javës së parë me tre shkatërrues. Njëri duket I sigurtë, pikërisht Alsid Tafili. Për dy të tjerër ka dilema. Mund të luajë Belisha sepse trajneri Canaj kërkon të shfrytëzojë përvojën e tij dhe vendi I mbetur do diskutohet në mes Demës dhe Krujës. Të dy këta futbollistë të rinj kanë bërë një performancë të mirë në seancat e fundit stërvitore dhe akoma nuk është vendosur se kush do luajë. Ndoshta ekziston mundësia që të luajnë të dy megjithatë do jetë trajneri ai që do ta thotë fjalën e tij në momentet e fundit para fillimit të ndeshjes.
Sulmi
Edhe këtë herë do jetë treshja e zakonshme e kohëve të fundit e përbërë nga dy sulmuesit e tërhequr, Hajdari nga e majta dhe Shtubina nga e djathta, ndërsa në majë do të jetë kroati Bushiç. Ky I fundit do të debutojë me fanellën e Vllaznisë pikërisht në Kukës. Përveç paraqitjes së mirë të bërë në miqësoren me Teutën, sulmuesi kroat edhe në seancat stërvitore të këtyre ditëve, ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke e bindur plotësisht stafin drejtues. Gjërat kësisoj kanë filluar të marrin rrjedhën e duhur dhe tashmë skuadra duket e gatshme për ndeshjen e rradhës. Ka besim për një rezultat positiv megjithatë duhet parë sesa do ia arrijnë ta marrin.
Gjergj KOLA