Në Shkodër ka shumë zhurmë për futbollin. Tashmë e kemi të qartë se çdokush kërkon të bëjë rolin e specialistit, çdokush flet e diskuton me shumë pasion për këtë lojë shumë popullore dhe natyrisht ecuria e Vllaznisë është në epiqendër të bisedës së shumë njerëzve. Kuptohet kur fillon të flitet për merkaton, ka zhurmë shumë. Edhe paragjykime njëkohësisht. Ende shumëkush mendon se njeriu që merret me sjelljen e lojtarëve tek Vllaznia është administratori Kujtim Shaba.

Ndoshta më parë, ai edhe mund të jetë përzier me këtë gjë por me ardhjen e trajnerit Rudi Vata në krye të skuadrës, roli i Shabës në çështjet teknike të skuadrës është sfumuar. E ka pranuar vetë Vata kur ka thënë se me këto probleme merret vetëm ai dhe stafi i tij. Thënë ndryshe, njerëzit që vendosin për ardhjen, qëndrimin apo largimin e lojtarëve në merkaton e Vllaznisë janë kryesisht tre: Fotoja e mëposhtme e tregon më së miri këtë gjë. Ata janë trajneri Rudi Vata, këshilltari i tij teknik Ramazan Rragami dhe drejtori sportiv Armir Grima. Secili prej tyre ka lënë të kuptohet se do punohet për të mos pasë gabime në marrjen e lojtarëve jo të duhur. Fakti që u nisën tre futbollistë ngaqë nuk i bindën për vlerat e tyre, e vërteton më së miri këtë gjë. Prandaj, tani e tutje kur të flasim për merkaton e Vllaznisë, gishtin tregues për gabime apo merita duhet ta tregojmë tek këta tre njerëz që janë në foton e mëposhtme.