Në ndeshjen e djeshme ndaj Laçit, tek Vllaznia thuajse nuk ka rënë në sy asnjëri prej futbollistëve të saj. Ata kanë zhvilluar një ndeshje përgjithësisht të dobët dhe tifozët e pranishëm në stadium, kanë kontestuar jo pak emra madje duke i kërkuar si zakonisht trajnerit për t’i larguar nga fusha. Ndërkohë tek Laçi spikatën disa futbollistë. Mes tyre edhe numri 4. Shumëpakush e di ndoshta që ky futbollist është nga Shkodra. Në fakt, jemi mësuar prej vitesh që tek skuadra laçiane të shohim futbollistë shkodranë.

Përgjithësisht emra të njohur por edhe djem të rinj. Së fundi, pjesë e saj është edhe Ansi Nika por ai mungoi të dielën në fushë ndaj Vllaznisë. Por ai që ka spikatur ka qenë një shkodran tjetër. Bëhet fjalë për Abdurrahman Fangajn. Mbrojtësi i djathtë i kurbinasve ka rënë në sy me lojën e tij të zhdërvjelltë në krah, ndihmesën e herëpashershme të sulmit por edhe pozicionimin e saktë në lojën mbrojtëse. Të mos harrojmë se ai është vetëm 20 vjeç por ka fituar shumë personalitet. I dalë nga Akademia Vllaznia, në fazën e dytë të sezonit 2015-16 u huazua tek Tërbuni në Superligë ndërsa prej sezonit të kaluar është pjesë e Laçit. Mbase me pak kujdes ai do të kishte qenë sot në Shkodër dhe kuqeblutë nuk do të vuanin në organikë për mbrojtës.

© shkodrasport.com