Vetëm 4 minuta i kanë mjaftuar Vllaznisë në basketbollin e femrave për të arritur një fitore. Për vajzat kuqeblu është suksesi i parë këtë sezon pas tre ndeshjesh të luajtura. Femrat e basketbollit në duelin e tyre të tretë kanë fituar në transfertë. Vllaznia ka arritur të marrë një fitore në shifrat 77 – 100. Në fakt nga rezultati përfundimtar diferenca është e konsiderueshme prej 23 pikësh duke qenë se ndeshja luhej në transfertë, por kjo shkëputje ka ndodhur vetëm në momentet e fundit të lojës.

Ndeshja ka qenë thuajse e balancuar me pjesë lojë që njëherë i përkisnin vendasve e të tjera ekipit mik. Loja nis më e mirë për Vllazninë. Shkodranet tregojnë qartë se në Elbasan nuk janë thjeshtë për “shëtitje” port ë të gjetur suksesin e parë sezonal. Në periodën e parë Vllaznia fiton me 7 pikë diferencë 11-18. Elbasanaset reagojnë menjëherë dhe u kthejnë përgjigjen e duhur skuadrës nga Shkodra. Vendaset zgjohen shpejt teksa në periodën e dytë arrijnë të fitojnë 29-19 si dhe gjysmën e parë të lojës ta mbyllin në favorin e tyre në shifrat 40-37. Edhe perioda e tretë nuk ka ndonjë shkëputje nga asnjëra prej ekipeve. Megjithatë në të tretën Vllaznia luan më mirë dhe fiton 19-26 duke bërë që pas 30 minutash të luajtura rezultati të jetë 59-63. Kështu gjithçka i mbetet fraksionit të fundit të lojës. KËtu shkodranet tregohen të papërmbajtura duke shpërthyer në 4 minutat e fundit. Kur loja ishte e barabartë basketbollistet e Vllaznisë marrin një hov që është i pandalshëm nga Elbasani dhe sigurojnë kështu fitoren. Vllaznia periodën e fundit e fiton 18-37 duke bërë që krejt ndeshja të mbyllet 77-100. Këtu janë dy faktorë që duhen vlerësuar për Vllazninë. Fillimisht edhe pse me një basketbolliste mangut siç është Paradisa Memçaj e cila këtë vit ka nisur studimet universitare në Tiranë, skuadra arrin të shënojë 100 pikë ndërkohë që përbërja e ekipit vijon të jetë realtivisht e re. Faktori i dytë është se shkodranet reagojnë pikërisht në momentet e fundit të ndeshjes. Pikërisht sezonin e kaluar, sidomos në takimet e fundit edhe kur Vllaznia kryesonte, në çastet e fundit të lojës edhe kur fitonte hera-herës rrezikontë shumë ndërkohë që disa herë ndeshjet i kanë shpëtuar në minutat e fundit të periodës së katërt. Tashmë duket se edhe këtu ka përmirësime. Sezonin e kaluar shkodranet vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit humbën të drejtën për të qenë mes katër ekipeve më të mira dhe për të luftuar në zonën e “Play Off” për titullin kampion, gjë të cilën trajneri Rajmond Rasha bashkë me ndihmësen e tij Afërdita Rakaj dhe maturimin e basketbollistëve duke qenë se kanë më shumë eksperiencë do të kërkojnë që ta realizojnë këtë sezon.