Vllaznia në basketboll për meshkuj është shpallur mbrëmë kampione e Shqipërisë. Ajo ka mundur në tre ndeshje finale ekipin e Tiranës duke mos patur nevojë të luajë më ndeshjen e katërt dhe të pestë. Titulli kampion kthehet në Shkodër pas plot 14 vitesh mungesë e kjo është festuar në mënyrën më të mirë të mundshme në një atmosferë vërtetë entuziaste. Ndeshja ka nisur më mirë për Tiranën e cila ka dominuar në dy periodat e para megjithatë gjërat kanë ndryshuar në dy periodat e tjera teksa shkodranët kanë fituar me rezultatin e përgjithshëm 84-73.

Në fund është zhvilluar edhe ceremonia e dhënies së kupës teksa presidenti I Federatës Shqiptare të Basketbollit Avni Ponari, ia ka dorëzuar atë kapitenit të Vllaznisë Ervin Berdica. Ky moment është shoqëruar me shumë entuziasëm tek 2 mijë tifozët e pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Protagonistët e këtij janë shprehur entuziast për këtë sukses të arritur nga Vllaznia duke e konsideruar një nga momentet më të bukura të karrierës së tyre. Finalja e së enjtes nga ana tjetër ka ngritur edhe një shqetësim, atë të mungesës së një pallati sporti me përmasa më të mëdha. Vllaznia sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike dhe interesimi do të jetë sërish I madh nga ana e sportdashësve prandaj nevojiten më shumë vende për ta.
© shkodrasport.com