Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka thyer rekordin kombëtar në garën e kërcimit së gjati. Ai ka barazuar rezultatin 7.75 metra të mbajtur më parë nga shkodrani Admir Bregu megjithatë konsiderohet rekord nga ana e Federatës Shqiptare të Atletikës sipas rregulloreve që ajo ka. Rekordi i ri është vendosur në garat e zhvilluara pasditen e së enjtes në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” në “ditën e kërcimeve”, aktivitet ky që mban emrin e kampionit të mirënjohur Hysni Bebeziqi. Smajlaj që në kërcimin e tij të parë ka arritur të thyejë rekordin dhe për rrjedhojë ai është shprehur i lumtur për këtë sukses por ka premtuar njëkohësisht edhe të tjerë shumë shpejt. Gjatë “Ditës së kërcimeve” Federata e atletikës ka nderuar me një mirënjohje të veçantë edhe disa nga emrat e shquara të atletikës shkodrane në vite si Asim Mujaxhi, Angjelina Gurakuqi, Nexhmije Bilali dhe Ardjan Miloti, të cilët janë shprehur të emocionuar për vlerësimin e bërë, madje duke bërë edhe njëfarë kritike për harresën ndaj tyre prej 23 vitesh. Megjithatë “dita e kërcimeve” edhe sivjet na dhuroi sërish gjëra interesante. Rezultate të larta, nderime figurash, shumë sportdashës etj. Nga viti në vit duket se ky aktivitet po merr përmasa edhe më të mëdha dhe kjo ia ka shtuar bukurinë atij.
© shkodrasport.com