Pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, këtë fundjavë do të rikthehet sërish kampionati I Superligës shqiptare në futboll. Vllaznia do të luajë në këtë javë të tetë me Partizanin. Takimi do të zhvillohet ditën e dielë në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ashtu si dhe dy takimet  e tjera me Apoloninë dhe Elbasanin, edhe këtë herë ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës së Vllaznisë.

Skuadra shkodrane ka ditë që është duke u përgatitur për këtë ndeshje sepse konsiderohet shumë e rëndësishme. Ajo vjen pas një disfate të rëndë të pësuar në ndeshjen e kaluar me Laçin dhe natyrisht që është koha për reagim. Për më tepër që kalendari I ndeshjeve të ardhshme është shumë I vështirë për kuqeblutë sepse do kenë dy transferta të vështira, fillimisht në Korçë me Skënderbeun dhe më pas në Kukës me skuadrën vendase. Pikërisht ky kalendar e bën të domosdoshme marrjen e fitores me të kuqtë ditën e dielë. Trajneri Raineri gjatë gjithë këtyre ditëve të stërvitjes, nuk ka patur probleme dëmtimesh dhe vetëm serbi Mehmedoviç ka ndjerë shqetësime të vogla megjithatë edhe ai pritet të jetë I gatshëm për këtë sfidë. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë për ta fituar ndeshjen por një impenjim maksimal I të gjithë futbollistëve, mund ta bëjë realitet atë. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit janë duke menduar edhe për një premio të majme për të motivuar edhe më shumë kuqeblutë për arritjen e këtij rezultati.

© shkodrasport.com