Vllaznia dhe Tirana do të ndeshen sërish me njëra- tjetrën edhe në sezonin e ri futbollistik por këtë herë jo për kampionat sepse bardheblutë siç dihet kanë rënë nga Superliga. Shkodranët dhe tiranasit pritet të ndeshen këtë herë për Kupën e Shqipërisë. Ky është verdikti I shortit të bërë publik sot nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në fakt, këto dy ekipe nuk do të ndeshen mes tyre që në turin e parë të këtij kompeticioni. Vllaznia në turin e parë do të përballet me Kastriotin e Krujës në dy ndeshje që do të luhen 13 dhe 27 shtator.

Takimi I parë do të luhet në Krujë ndërsa dy javë më vonë në Shkodër. Ndërkohë, Tirana do të ndeshet në turin e parë me Besën e Kavajës dhe sigurisht që pritet të kalojë edhe ajo në turin tjetër. Në këtë mënyrë, duke e marrë të mirëqenë kualifikimin e këtyre dy ekipeve, në turin e dytë kuqeblutë dhe bardheblutë do të ndeshen fillimisht në Tiranë më 18 tetor ndërsa dy javë më vonë do të ndeshen në Shkodër në ndeshjen e kthimit. Një përballje e tillë e mundshme në mes këtyre dy emrave të shquar të futbollit shqiptar padyshim që pritet me interes edhe nga tifozëritë e të dy ekipeve për vetë rivalitetin por edhe problemet që ato kanë patur me njëra- tjetrën. Vllaznia në fakt ishte ekipi që I dha tatëpjetën Tiranës drejt kategorisë së parë dhe padyshim që do të tentojë ta bëjë këtë gjë edhe këtë në Kupën e Shqipërisë në mënyrë që të jetë ajo që do të vazhdojë më tej në këtë kompeticion.
www.shkodrasport.com