Vllaznia “peshkoi” rumunët e Universitatea Craiovës në turin e dytë të Conference Leagues, një kundërshtar natyrisht me buxhet ndjeshëm më të madh se i shkodranëve, por jo i pakalueshëm.

Këtë mendim ndaj edhe presidenti i shkodranëve, Alban Xhaferi, që në një reagim për SuperSport shprehu vlerësimin maksimal për kundërshtarin, por u tregua optimist për një kalim të mundshëm të turit.

“Është një kundërshtar i vështirë, me buxhet 5 herë më të madh se ai i Vllaznisë, por në Shkodër do të jetë një atmosferë elektrizuese dhe besoj se do ta kalojmë këtë tur. Për më tepër, kemi një trajner me eksperiencë në Kupat e Europës dhe do të bëjmë të gjithë përgatitjet e duhura për të kaluar këtë tur”, u shpreh numri një i klubit shkodran.

Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë ndaj rumunëve më 21 korrik, në “Loro Boriçi”, ndërsa sfida e kthimit është planifikuar një javë më vonë në Craiovë të Rumanisë. Kujtojmë që një vit më parë, Universitatea e Craiovës u përball me Laçin sërish në turin e dytë eliminator të Conference Leagues, teksa në fund ishin kurbinasit ata që avancuan më tej.