Ylli i Bayern-it të Mynihut, Rafinha, ka kërkuar falje publike për veshjen e tij si “kamikaz arab” në festën e Halloween organizuar nga klubi bavarez.

Braziliani u fotografua me shokët e ekipit ndërsa mbante një kuti ku shkruhej ‘Vorsicht’, “kujdes” në gjermanisht.

Fotot e publikuara në Twitter nga Bayern-i kanë bërë të plasin polemikat, sepse kanë vërshuar kritikat për zgjedhjen e Rafinha-s.

Kjo ka bërë që mbrojtësi të kërkojë falje me një postim në Instagram, që më pas e fshiu: “Halloween është një festë me kostume të ekzagjeruara dhe të frikshme. Nuk kisha për qëllim të zemëroja ndokënd me maskimin tim, apo të lëndoja ndokënd. Kërkoj falje, kam respekt për të gjitha vendet dhe besimet fetare!”

Megjithatë, të shumtë janë ata që kërkojnë që Bayern-i të marrë masa ndaj brazilianit, i cili i ka paraqitur arabët si terroristë. Në vendet arabe Bayern ka shumë tifozë dhe natyrisht aty ka qenë më e madhe vala e zemërimit, por për momentin Bayern-i nuk ka eaguar, duke u mjaftuar me fshirjen e fotove.