Atleti shkodran Bledar Mesi ka qenë një nga fituesit e Maratonës Ndërkombëtare të Tiranës që është zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytetin tonë. Ai ka konkurruar në disiplinën sportive 10 kilometra dhe në këtë garë ka zënë vendin e parë me kohën 35’19”. Në vend të dytë ai ka lënë një tjetër atlet shqiptar, Jani Notin me 24 sekonda më shumë ndërsa në vend të tretë ka dalë atleti kosovar Ron Krasniqi. Mesi është një nga atletët më të mirë shqiptar në garat e gjysmëthellësisë dhe këtë e ka treguar edhe në Maratonë e zhvilluar dje në Tirana ku kanë marrë pjesë me qindra e qindra sportistë nga mbarë vendi por edhe të ardhur nga shtete të tjera. Si fitues i vendit të parë, Bledar Mesi ka fituar edhe çmimin e vënë nga organizatorët prej 500 eurosh. Ai dallohet si një prej sportistëve më të mirë të vendit, kampion për disa vite me ekipin e Vllaznisë. Interesant është fakti se ndonëse jeton në Tiranë, ai asnjëherë nuk e ka braktisur ekipin e qytetit të tij të lindjes duke garuar gjithnjë për të. Ky është një tregues i lidhjes së ngushtë të tij me Shkodrën dhe në veçanti me klubin Vllaznia të cilit po i shërben prej vitesh duke i dhuruar shumë medalje dhe tituj.
www.shkodrasport.com