Përgatitjet e ekipit shkodran për ndeshjen me Teutën tashmë kanë marrë fund dhe gjithçka është gati. Trajneri Cungu dhe ndihmësit e tij Maxhar e Lekiqi kanë bërë gati edhe formacionin të cilin mendojnë të hedhin në fushë. Nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh nga 11-shja që luajti javën e parë ndaj Lushnjës. I vetmi ndryshim është se rikthehet në formacion pas rikuperimit nga dëmtimi mbrojtësi Pjeshka.

Ai do të luajë në qendër të mbrojtjes përkrah Orelesit ndërkohë që Gurishta do të spostohet në të majtë në vend të Markut. Në portë padyshim që do të jetë Selimaj ndërsa në krahun e djathtë do luajë si zakonisht Gocaj. Në mesfushë si shkatërrues është Krymi dhe para tij Vucaj e Hasani. Në rolin e mesfushorëve të krahut do të jenë Lika e Kruja ndërsa në majë të sulmit Atsina. Ka patur një dilemë nëse do të aktivizohej ai apo Ribaj por stafi mesa merret vesh do t’i besojë përsëri ganezo- italianit edhe këtë herë. Me këtë formacion, Vllaznia pritet të kërkojë me çdo kusht fitoren në takimin që do të luhet pasditen e së dielës në orën 19.00 në “Loro Boriçi”.

© shkodrasport.com