Vllaznia në hendboll ka marrë një fitore dramatike por me shumë vlera pasditen e sotme në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit kombëtar. Përballë ka patur Tiranën në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe shkodranët kanë fituar vetëm në sekondat e fundit me rezultatin e ngushtë 22-21. Një gol i shënuar në fund ka patur shumë vlerë sepse Vllaznia me këtë fitore është tashmë një nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion. Pjesa e parë e ndeshjes në fakt është shoqëruar edhe me tension. Hendbollistët shkodranë kanë qenë shumë të tensionuar me arbitrimin i cili në fakt ka ndikuar në rezultat duke dhënë penallti, dyminutësha apo dhe faulla të paqëna për kundërshtarin. Loja është ndërprerë për pak minuta por me ndërhyrjen edhe të sekretarit të Federatës, gjithçka është normalizuar dhe më pas, ajo ka vazhduar pa problem. Pjesa e parë është mbyllur 13-11 në favor të Tiranës. Në të dytën, shkodranët janë zgjuar dhe kanë fituar me rezultatin 22-21. Me këtë fitore tashmë Vllaznia duket se do të jetë bashkë me Elbasanin ekipet që do të rivalizojnë për fitimin e titullit kampion këtë sezon.
© shkodrasport.com