Spostimi I ndeshjes Shqipëri- Izrael nga Shkodra në Elbasan, ka sjellë një kaos sa I takon problemit të biletave. Ndonëse mbrëmë Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi tifozët të cilët kishin blerë bileta për mënyrën si do t’I konvertonin ato nga bileta të “Loro Boriçit” në ato për në “Elbasan Arena”. Po ashtu bëhet e ditur edhe ata që nuk dëshironin të shkonin të shtunën në Elbasan, mund të kthenin prapsht biletën dhe të merrni paratë e biletës së shpenzuar. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Të paktën deri në mesditë, në sportelin pranë stadiumit “Loro Boriçi” nuk është kryer asnjë veprim.
Tifozë në numër të konsiderueshëm me bileta në duar, kanë kërkuar të merrnin një përgjigje se çfarë do bëhej me to, por nga përfaqësuesit e firmës që merret me shitjen e biletave nuk kanë marrë asnjë përgjigje sepse edhe vetë ata ishin në pritje të udhëzimeve që do t’u vinin nga kryeqyteti. Një situatë e tillë ka krijuar kaos në ambjentet pranë stadiumit. Shumica e tyre, duke folur për telesport.al, kanë shprehur zemërimin e tyre për një situatë të tillë. Një pjesë e konsiderueshme kanë dashur të kthejnë biletat e blera dhe të marrin paratë në dorë sepse sipas tyre, nuk I kanë mundësitë financiare për të udhëtuar drejt Elbasanit. Të tjerë, e quanin spostimin e kësaj ndeshje nga Shkodra si një sulm me dashje që I bëhet këtij qyteti demokrat. “Nuk mund të presësh gjë tjetër nga ky kryeministër pas atyre deklaratave që bëri kohë më parë për stadiumin”- thotë njëri nga tifozët me pesë bileta në dorë dhe që pret një përgjigje për kthimin e tyre. Shumica e tifozëve janë shprehur se një spostim I tillë I ndeshjes nuk ka të bëjë aspak me mungesën e sigurisë por me atë të ndonjë problemi tjetër për të anashkaluar këtë qytet. Megjithatë, më shumë sesa për këto deklarata, ata shprehnin mllefin e tyre në lidhje me mosmarrjen e një përgjigje për kthimin e biletave të blera.
© shkodrasport.com